Kriza e ujit në Gostivar vazhdon, partitë politike përplasen për përgjegjësinë
Gazetare: Melihate Rustemi
Problemi me ujin e pijshëm në Gostivar vazhdon të shkaktojë përplasje mes partive politike. LSDM-ja akuzon pushtetin se nuk ka arritur ta zgjidhë problemin pesë javë pas shpërthimit të krizës dhe bën thirrje për përgjegjësi politike e penale. Nga LSDM thanë se vazhdojnë të paraqiten raste të reja të të sëmurëve dhe pretendojnë se ka edhe raste të riinfektimit të qytetarëve. Sipas LSDM-së, kjo tregon se rreziku ende nuk është eliminuar dhe se burimi i problemit nuk është vënë nën kontroll.
“Ky është një alarm serioz se rreziku nuk është eliminuar dhe se burimi i helmimit ende nuk është vënë nën kontroll. Pesë javë Gostivari është i helmuar. Pesë javë qytetarët nuk kanë ujë të sigurt për të pirë, në mes të verës dhe temperaturave përvëluese. Pesë javë Klekovski dhe Mickoski japin deklarata dhe premtime të ndryshme se problemi është drejt zgjidhjes, por prej pesë javësh nuk kanë zgjidhje. Ata po luajnë me shëndetin e banorëve të Gostivarit, ndërsa 5.000 qytetarë janë helmuar. U fshehën informacionet për ujin dhe asnjëherë nuk u publikua analiza apo raporti se kush e ka miratuar përdorimin e ujit si ujë teknik”, tha Keti Shterjova nga LSDM.
VMRO-DPMNE-ja i cilësoi kritikat e LSDM-së si të pabaza. Thanë se gjatë periudhës së qeverisjes së LSDM-së, ekzistonin rreth 400 dokumente që tregonin probleme me cilësinë e ujit në Gostivar, por se atëherë, siç thanë nga VMRO-DPMNE, institucionet nuk kanë reaguar.
“Filipçe, si ministër i Shëndetësisë dhe Renata Mlladenovska, si drejtoreshë e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, nuk kanë lëvizur as gishtin pas asnjë raporti për parregullsinë e ujit në Gostivar. Kanë heshtur, gjë që tregon se janë kujdesur për funksionet, pushtetin dhe interesat e një grupi të vogël njerëzish nga pushteti. Ndërkohë, çdo ditë punohet që qytetarët e Gostivarit të marrin edhe ujë të ambalazhuar për pije, derisa situata të sanohet dhe uji të marrë të gjitha karakteristikat e nevojshme që do të tregojnë se është i përshtatshëm edhe për pije”, u përgjigj Martin Andonovski nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë, qytetarët e Gostivarit vazhdojnë të presin një zgjidhje përfundimtare të problemit me ujin e pijshëm. Deri në marrjen e rezultateve të reja të analizave, mbetet e paqartë se kur uji do të jetë plotësisht i sigurt për përdorim.








