Nëntë persona arrestohen në Zubin Potok, dyshohen për krime lufte

" "

Gjatë një operacioni të zhvilluar në Zubin Potok të Kosovës, nëntë persona janë arrestuar nën dyshime për krime lufte kundër popullatës civile, thanë autoritetet. Operacioni ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Sipas Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës operacioni i koduar “Dosja 23” u realizua në orët e hershme të mëngjesit në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Autoritetet nuk dhanë më shumë detaje për këtë operacion. Megjithatë, ai vjen pasi më 19 shtator u konfirmua, përmes analizës së ADN-së, se mbetjet mortore të tri viktimave të gjetura në varrezat masive në Zubin Potok, i përkisnin “Grupit të Intelektualëve”. Më vonë, familjarët konfirmuan se njëri nga viktimat e identifikuara ishte Idriz Rrecaj. “Grupi i Intelektualëve” përbëhej kryesisht nga qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të cilët, sipas autoriteteve në Kosovë, ishin rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe. Në mesin e 23 personave të këtij grupi shqiptarësh kishte veprimtarë, profesionistë dhe figura publike nga zona e Mitrovicës, të cilët u zhdukën në zonën e Zubin Potokut./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button