Gazetar: Avni Tahiri
Protesta “Jo në emrin tim” vazhdon çdo natë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Qytetarët mblidhen për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ekspertët theksojnë se aktorët politikë qoftë në pushtet apo në opozitë vazhdimisht kanë bërë thirrje që revolta të shprehet në formë të qetë dhe pa shkaktuar dëme materiale. Ish drejtori i Policisë së Kosovës Reshat Maliqi thotë se deklaratat publike të politikanëve kanë ndihmuar shumë në menaxhimin e situatës.
“Janë deklarata të qeta që dërgojnë mesazhe të mira, që i qetësojnë, i qetësojnë protestuesit…një deklaratë e mirë, një deklaratë e matur me një mesazh të mirë e ndihmon jashtëzakonisht policinë sepse e qetëson situatën, e qetëson masën dhe vërtet ne kemi nevojë tash”, deklaroi Reshat Maliqi, Ish-drejtor i Policisë së Kosovës.
Megjithatë Maliqi thekson se në ngjarje të tilla ka edhe persona të infiltruar nga Serbia që paguajnë të shkaktohen incidente në dëm të Kosovës.
“Kemi armiq që na rrethojnë në kufijtë tanë, të cilët janë të interesuar që përmes këtyre protestave të dalin shumëçka dhe të derdhet gjaku përsëri. Unë besoj se ka persona të infiltruar që i paguajnë ndoshta shërbimet e huaja, sidomos shërbimi i Serbisë, që aty të ndodhë tash ndonjë incident, të ndodhë ndonjë problem që ata t’i jenë tashmë që ata t’i sulmojnë institucionet e Kosovës, institucionet ndërkombëtare, që ato nuk janë favorizuese, nuk i ndihmojnë Kosovës, e nuk i ndihmojnë as Katërshes që është në Hagë”, theksoi Reshat Maliqi, Ish-drejtor i Policisë së Kosovës.
Ndërkohë në vazhdën e protestave që kundërshtojnë vendimin e Hagës ndaj katërshes së UÇK-së është dhe marshi gjithëpopullor “Jo në emrin tim” që është paralajmëruar të mbahet të enjten, më 1 Tetor në orën 16:00 në Prishtinë./Alsat.mk.








