Eurostat për Shqipërinë: Një ndër vendet me sezonalitetin më të lartë turistik në Europë
Eurostat për Shqipërinë: Një ndër vendet me sezonalitetin më të lartë turistik në Europë

Shqipëria po bën përpjekje për ta shtrirë turizmin përgjatë gjithë vitit, por sërish në muajt e verës është përqendrimi më i lartë i turistëve, ndryshe nga shtetet e tjera të Europës, ku hotelet janë të zëna me punë pothuajse gjatë gjithë vitit.
Kroacia, Greqia, Bullgaria, Shqipëria dhe Mali i Zi janë renditur nga Eurostat ndër vendet që kanë sezonalitetin më të lartë turistik në Evropë.
Në total, rreth një e treta e netëve turistikë në Europë janë shpenzuar në korrik dhe gusht, sipas Eurostat. Ndërsa në Shqipëri, kjo peshë arriti në rreth 46%, sipas përpunimeve të Monitor, bazuar në statistikat e Eurostat, e treta pas Kroacisë (59%) dhe Bullgarisë (48%), duke lënë pas Greqinë (43%), raporton Monitor.
Gjithsej, në Shqipëri u shënuan në vitin 2022 rreth 3.83 milionë netëqëndrime, me një rritje prej 20% në krahasim me vitin pararendës. Përmirësimi ka ndodhur në pjesën e parë të vitit, ndërsa në gusht netëqëndrimet ranë me 2.5%, pas një përmirësimi në shtator dhe tetor, sërish nëntori dhe dhjetori kishin tendencë rënëse.
Në dy muajt e parë të 2023, numri i netëqëndrimeve është rritur me 3.6%.
Europa; Më shumë se një e treta e netëve turistike kalohen në korrik dhe gusht
Sipas Eurostat, sezonaliteti ka pasur gjithmonë një ndikim thelbësor në turizëm, dukuri e dukshme në modelet e mbërritjeve të turistëve dhe netëve e kaluara në hotelet dhe vendpushimet turistike të BE-së.
Gjatë periudhave të pikut të pushimeve, zonat turistike mund të përballen me mbipopullim dhe pakësim të burimeve. Anasjelltas, periudhat më të qeta mund të shkaktojnë objekte të papërdorura dhe paqëndrueshmëri të punës, për shkak të luhatjeve të kërkesës.
Në vitin 2022, u vu re modeli tradicional sezonal, ku shumica e netëve të kaluara u regjistruan në gusht (18% e netëve të kaluara në 2022; 478 milionë netë), e ndjekur nga korriku (16%; 440 milionë). Në të kundërt, përqindja e netëve të kaluara ishte më e ulëta në janar (3%; 89 milionë), e ndjekur nga shkurti (4%; 111 milionë).