Evakuimi i civilëve nga zonat e luftës në Ukrainë gjithnjë e më i vështirë

Evakuimi i civilëve nga zonat e luftës në Ukrainë gjithnjë e më i vështirë

Gazetare: Arta Tahiri

Pas përpjekjeve të dështuara disaditore 160 makina private që transportonin civilë ukrainas arritën të largohen nga qyteti i Mariupolit.

Përpjekjet e shumta për të krijuar korridore humanitare për evakuimin e civilëve vazhdimisht kanë dështuar. Mariupoli është i rrethuar nga trupat ruse dhe ka pasur raportime për bombardime këtë mëngjes.

Që nga fillimi i invazionit rus në Ukrainë në 24 shkurt miliona njerëz kryesisht gra e fëmijë kanë  braktisur shtëpitë e tyre për t’i ikur luftës.  Më shumë se 1.75 milion njerëz janë larguar nga Ukraina në Poloni, tha Agjencia e Gardës Kufitare polake. Megjithatë sipas autoriteteve atje, rreth një milion refugjatë mbeten në Poloni, ndërsa të tjerët janë larguar tashmë në vende të tjera.

“Tani nuk e di çfarë të bëj me veten. Më vjen shumë keq sepse duhet të fillojë një jetë të re. Realisht nuk e di ku të shkoj dhe çfarë të bëj”, tha Ina Padi refugjate.

“Nuk kemi plane për momentin. Duam të kthehemi në shtëpi. Çdokush ëndërron të kthehet sa më shpejtë në vendlindje”, u shpreh Svitlana Prihodnia, refugjate.

Pas Polonisë me numrin më të madh të refugjatëve renditen Rumania, Moldavia e Sllovakia. Ndërkohë gati 147 mijë persona që janë larguar nga lufta në Ukrainë janë regjistruar në Gjermani.

Megjithatë sipas zyrtarëve gjerman numri mund të jetë shumë më i lartë.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se numri total i refugjatëve ukrainas ka arritur në gati 2.7 milionë. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button