EVN riparon dëmet e rrugës “10” në Haraçinë

Një ditë pasi disa nga banorët e rrugës “10” në Haraçinë të revoltuar nga mungesa 50 ditore e rrymës, tentuan të hyjnë me dhunë në zyrat e EVN-së në Butel,  sot në mesditë ekipi i kësaj kompanie ishte në terren për të riparuar dëmin. Banorët që na dërguan fotografitë, thonë se po bëhet përforcim i linjës së furnizuese.  Nga kompania për furnizim me energji elektrike, nga ana tjetër, thonë se rrjeti është rikonstruuar para disa vitesh dhe se i njëjti, siç thonë, është i ndërtuar që të përballojë të gjithë shfrytëzuesit legal. Janë ato që energjinë elektrike e shfrytëzojnë ilegalisht që shkaktojnë dëme në këtë rrjet, thonë nga EVN.

“Një numër i madh i banorëve të asaj lagjeje janë të lidhur në mënyrë joligjore në rrjetin furnizues dhe kjo shkakton dëme. Para disa vitesh, EVN Maqedoni realizoi projekt për rikonstruim të rrjetit me qëllim të përmirësimit të furnizimit dhe gjendjes së rrjetit në komunën e Haraçinës. Me kalimin e kohës, mirëmbajtja e rrjetit si dhe kryerja e aktiviteteve të përditshme u vështirësuan për shkak të rezistencës së shfaqur nga një pjese e banorëve të këtij lokaliteti. Gjegjësisht, gjatë çdo intervenimi nga ne në këto lagje, e konkretisht edhe në rrugën në fjalë, ekipet ndalohen dhe ballafaqohen me kërcënime verbale dhe sulme fizike. Megjithatë, përpiqemi që të gjejmë gjuhë të përbashkët dhe t’u ofrojmë zgjidhje banorëve”, thonë nga EVN.

Me mungesë të energjisë elektrike po ballafaqohen për më shumë se 17 orë edhe  banorët e fshatit Gajre në Tetovë, duke theksuar se diçka e tillë po ndodh për herë të tretë që nga dhjetori.

“Orë të tëra në këtë acar të dimrit, nuk kanë energji elektrike. Kjo nuk është hera e parë. Në të gjithë Malësinë që nga Dhjetori e këndej nuk ka rrymë elektrike për herë të tretë. Për shkak se trafostacionet dhe largpërçuesit nuk mirëmbahen dhe është një neglizhencë nga ana e EVN dhe MEPSOS. Ky diskriminim, mund të themi me theks të veçantë se bëhet vetëm për shqiptarët e kësaj ane. Problemet janë paraqitur që kur nisëm me protestat tona”, pohoi Ramadan Murtezani nga Iniciativa qytetare “BOLL MË”.

Nga EVN Maqedoni thonë se fshati Gajre mbeti pa energji elektrike për shkak të një defekti serioz në rrjetin e tensionit të mesë.

“Ekipet kujdestare të elektrodistribuimi menjëherë pas defektit kanë dalë në teren dhe e kanë detektuar kabllon e dëmtuar. Përveç seriozitetit të defektit dhe kushteve të rënda të motit, ekipet janë përballur me edhe me terren pa qasje dhe rrëshqitës. Përkundër të gjitha vështirësive, ekipet punuan pa ndërprerje dhe kanë arritur ta sanojnë problemin. Fshati Gajre ka furnizim të normalizuar dhe stabil të energjisë elektrike”, thuhet në qëndrimin e EVN-së

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button