“Evro Konsallting” mbeti pa licencë katër ditë para marrëveshjes

“Evro Konsallting” mbeti pa licencë katër ditë para marrëveshjes

Gazetar: Adrin Kerimi

Kompania mbikëqyrëse e punimeve në Korridoret 8 dhe 10-D, “Evro Konsallting” e themeluar nga Branisllav Dimitrijeviq ka mbetur pa licencë për mbikëqyrje të punimeve 4 ditë para se të nënshkruhet marrëveshja me konzorciumin ndërkombëtarë “Bechtel&Enka”. Dokumenti deri tek i cili ka arritur Alsat, i siguruar nga marrëveshja e detajuar për ndërtimin e korridoreve dëshmon se më 4 mars 2023 kompanisë “Evro Konsallting” i ka skaduar licenca e tipit A për mbikëqyrjen e punimeve nga kategoria e parë. Të pyetur nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve na thanë se licenca e re për “Evro Konsallting” është lëshuar një ditë më pas, përkatësisht më 5 mars, ndonëse në marrëveshje figuron dokumenti që dëshmon skadimin e licencës.

“Kompania ka licencë valide për mbikëqyrje (N.004/A) me kohëzgjatje nga 5 marsi 2023 deri më 5 mars 2030. Gjithashtu posedon edhe licencë për projektim (P.012/A) me kohëzgjatje nga 5 marsi 2023 deri më 5 mars 2030”, njoftojnë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Ligji mbi Prokurimet Publike sanksionon që konsulenti i paraqitur në tender për mbikëqyrje mes tjerash duhet të ketë edhe licencë aktive, por fakti që marrëveshja është nënshkruar paraprakisht mes kompanive mbikëqyrëse të udhëhequra nga “IRD Inzhinjering”, në këtë pikë nuk ka ndeshje me ligjin.

Derisa Qeveria dhe Ndërmarrja Publike Rrugët Shtetërore vazhdojnë të mbrojnë besueshmërinë dhe imazhin e kompanive mbikëqyrëse, ditë më parë mediat raportuan për kompaninë tjetër e cila bën pjesë në këtë grup, “Elektra Sollushëns” e cila përvojën më të madhe e ka në prodhimin e veshjeve të brendshme. Madje kjo është kompania e cila nga kulaçi prej 22.3 milion eurove të parapara për mbikëqyrjen e punimeve të Bechtel&Enka, në llogari të tyre do të arkëton plotë 8,3 milion euro. Përveç aktivitetit të saj prodhues dhe mos përputhshmërisë me rëndësinë e projektit, kompania e Andon Ampov figuron në adresë të njëjtë me kompanitë që ndikuan në prishjen e tenderit të parë për konsulentë, IGH dhe Instituti për rrugë. IGH nuk kishte arritur të siguron garanci bankare të nevojshme për shkak se paratë e tyre kishin mbetur të bllokuara në bankat ruse.

Pavarësisht dëshmive të dala në opinion mbi kompanitë mbikëqyrëse si “Evro Konsallting” e themeluar nga njeriu me akuza për mashtrim, “Elektra Sollushëns” kompani me përvojë në prodhime tekstili dhe kompanisë “EPTISA” si subjekt i shpallur me vendim të Qeverisë kompani me veprime jo ligjore, Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit tashmë dy javë qëndron duarkryq duke mos ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të shqyrtimit të parregullsive të mundshme. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button