Pse ka papritmas kaq shumë viruse?

Pse ka papritmas kaq shumë viruse?

Nga shpërthimi i lisë së majmunëve në vitin 2022 deri tek rritja e gripit të shpendëve dhe shpërthimi i fundit i virusit Marburg në Guinenë Ekuatoriale, Covid nuk po dominon më titujt e gazetave si dikur.

Në vend të Covid-it, gjithnjë e më shumë po dëgjojmë për infeksione me viruse të reja, shkruan Science Alert .

A do të thotë kjo se numri i epidemive po rritet? Apo sapo jemi bërë më të suksesshëm në zbulimin e pikave të reja të nxehta për shkak të teknologjisë që kemi avancuar gjatë pandemisë së koronavirusit? Përgjigja është – të dyja.

Vlerësohet se janë rreth 1.67 milionë viruse ende të paidentifikuara që gjenden te gjitarët dhe zogjtë në mbarë botën. Nga ata 1.67 milionë, deri në 827,000 kanë potencialin për t’u transmetuar te njerëzit.

Për të kuptuar se si krijohen këto viruse, duhet të kthehemi në të kaluarën e largët: fillimin e jetës në Tokë. Ka disa teori rreth asaj se si u shfaqën viruset e parë, por të gjithë kanë një gjë të përbashkët: viruset kanë ekzistuar për miliarda vjet dhe ata evoluan së bashku me gjallesat. Problemi lind kur ka një shqetësim në këto procese të qëndrueshme evolucionare paralele.

Arsyeja kryesore e shfaqjes së viruseve në popullatën njerëzore janë pikërisht njerëzit dhe veprimet e tyre. Bujqësia u bë e zakonshme më shumë se 10,000 vjet më parë dhe më pas njerëzit ranë në kontakt të ngushtë me kafshët, gjë që krijoi një mundësi që viruset, të cilat përhapeshin midis kafshëve, të “kërcenin” te njerëzit. Kjo quhet zoonozë dhe është përgjegjëse për rreth 75 për qind të sëmundjeve të reja infektive.

Ndërsa qytetërimi njerëzor dhe teknologjia përparonin, shkatërrimi i habitateve natyrore i detyroi kafshët të zhvendoseshin në zona të reja në kërkim të burimeve ushqimore. Kështu, specie të ndryshme kafshësh që përndryshe nuk do të ishin në kontakt, filluan të ndajnë të njëjtin mjedis. Nëse i shtojmë njerëzit në atë ekuacion, është receta e përsosur për shfaqjen e viruseve të rinj.

Urbanizimi çon në densitet të lartë të popullsisë, gjë që krijon një mjedis ideal për përhapjen e virusit. Zhvillimi i qyteteve është shpesh më i shpejtë se ndërtimi i infrastrukturës adekuate, si higjiena dhe kujdesi shëndetësor, gjë që rrit më tej shanset e përhapjes së virusit.

Ndryshimet klimatike gjithashtu kontribuojnë në përhapjen e virusit. Për shembull, arboviruset (ato që barten nga artropodët si mushkonjat) po zbulohen në zona të reja, ndërsa gama e vendeve ku mushkonjat mund të mbijetojnë zgjerohet.

Këta faktorë janë njohur prej kohësh. Shfaqja e virusit SARS-CoV-2 nuk befasoi asnjë epidemiolog apo virolog. Ishte një çështje se kur, jo nëse, do të ndodhte pandemia. Ajo që ishte e papritur ishte shkalla e pandemisë së koronavirusit, si dhe vështirësia për të kufizuar në mënyrë efektive përhapjen e virusit.

As që mund të parashikonim pasojat e përhapjes së informacionit të pasaktë për shëndetin publik. Kundërshtimi ndaj vaksinave është bërë gjithnjë e më i zakonshëm në mediat sociale gjatë dy viteve të fundit.

Kjo ka çuar në ndërprerje në programet rutinë të vaksinimit të fëmijërisë, duke rritur rrezikun e shpërthimeve masive të sëmundjeve lehtësisht të parandalueshme nga vaksinat, si fruthi.

Mësime në mbikëqyrje

Shkenca i është përgjigjur shpejt pandemisë së koronavirusit, duke rezultuar në krijimin e metodave të reja dhe të përmirësuara të zbulimit për të gjurmuar shfaqjen dhe evolucionin e virusit. Tani, shumë shkencëtarë që kanë marrë pjesë më parë në mbikëqyrjen e koronavirusit po e kthejnë vëmendjen te viruset e reja.

Për shembull, shkencëtarët kanë analizuar ujërat e zeza për të zbuluar praninë e koronavirusit gjatë një pandemie dhe kjo praktikë mund të zbatohet për të monitoruar llojet e tjera të viruseve që përbëjnë një kërcënim për shëndetin e njeriut.

Kur një person infektohet me një virus, një material gjenetik i caktuar i atij virusi përfundon në sistemin e ujërave të zeza. Ujërat e zeza mund të tregojnë nëse numri i infeksioneve në një zonë të caktuar është në rritje, përpara se të vërehet një rritje e numrit të pacientëve në spitale.

Përshtatja e asaj teknologjie për të gjetur viruse të tjerë, si gripi, lija apo edhe poliomieliti, mund të ofrojë informacion të dobishëm për kohën e shpërthimit të virusit. Kjo tashmë po ndodh në një farë mase – virusi që shkakton poliomielitin u zbulua në kanalizimet e Londrës vitin e kaluar.

Kjo rritje në mbikëqyrjen e viruseve do të rezultojë në më shumë raporte për shpërthime të reja. Dhe ndërsa disa mund ta shohin këtë si nxitje të qëllimshme të frikës, ky informacion në të vërtetë mund të jetë çelësi për kufizimin e pandemive në të ardhmen. Nëse një infeksion virusi ndodh në një zonë ku nuk ka mbikëqyrje adekuate, infeksioni mund të përhapet jashtë kontrollit.

Megjithatë, duhet theksuar se mbikëqyrja dhe monitorimi i virusit është vetëm një pjesë e gatishmërisë ndaj pandemisë. Qeveritë dhe agjencitë shkencore dhe mjekësore në mbarë botën duhet të zhvillojnë dhe përshtatin rregullisht protokollet për shpërthimet e viruseve dhe pandemitë, në mënyrë që të mos kapemi dhe të reagojmë para se të jetë tepër vonë.

Covid ka të ngjarë të mos jetë pandemia e fundit që njerëzit do të përjetojnë. Le të shpresojmë se do të jemi më të përgatitur për pandeminë e ardhshme.

LEXO EDHE:

Back to top button