Esmat Vatanparast humbi 11 anëtarë të familjes së gjerë gjatë ekzekutimeve masive të të burgosurve politikë dhe kundërshtarëve të regjimit në Iran në vitet ’80.
Në tri dekadat e fundit, e moshuara Vatanparast ka kërkuar drejtësi për vdekjen e anëtarëve të familjes së tij, përfshirë të dy vajzave të saj dhe tre vëllezërve.
Më 19 maj, kur presidenti Ebrahim Raisi u vra pas rrëzimit të helikopterit me të cilin udhëtonte në veriperëndim të Iranit, Vatanparast tha se ajo mori diçka që i dukej si drejtësi.
Raisi supozohet se ka luajtur rol në ekzekutimin e të paktën 5.000 anëtarëve të organizatës Mujahedin-e Khalq Organization (MKO), studentëve, partive politike dhe grupeve të majta gjatë verës të vitit 1988.
“Lumturia ime nuk ka kufij”, tha Vatanparast për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë më 20 maj, ditën kur u konfirmua vdekja e Raisit. Ajo u largua në Suedi pas masakrës. “Sot është një ditë e bukur për popullin e Iranit”, shtoi ajo.
Raisi, i njohur si “Kasapi i Teheranit” ishte akuzuar se ka shërbyer si prokuror në “komitetin e vdekjes” që kishte urdhëruar ekzekutimet. Shumë persona u ekzekutuan në burgje, përfshirë edhe në burgun famëkeq Evin, në kryeqytetin iranian.
Vatanparast tha se ishte “shumë e vështirë” për familjarët e viktimave të masakrës të shikonin ngritjen e Raisit, ish-shefit të gjyqësorit, i cili u bë president pas zgjedhjeve kundërthënëse të vitit 2021.








