Festa e 2 Gushtit, boshatiset Shkupi

Festa e 2 Gushtit, boshatiset Shkupi

Gazetare: Melihate Rustemi

Qytetarët që këtë verë kanë vendosur të mbeten në shtëpi po gjejnë mënyra të ndryshme për tu përballur me temperaturat e larta. Parku i Sarajit mbetet destinacioni më i preferuar për të pushuar për disa orë. Kështu ishte edhe sot, në festën e 2 gushtit ku shumë qytetarë po shfrytëzonin ditën e lirë nga puna për t’u relaksuar.

“Këtë vit kështu do të jetë, shëndet. Mirë është edhe kështu, në gjelbërim, në park, këtu është shumë bukur, e rregulluar por mundet edhe më mirë. Tualet duhet të ketë sepse ka shumë fëmijë si dhe në më shumë vende të ketë ujë”, u shpreh një qytetar.

“Në deti ma mirë është, normal. Por mundësitë janë të ndryshme, dikush mund të shkojnë po shumica nuk po munden të shkojnë se kushton shumë, ekonomia është e prishur. Ata që nuk kanë dalin këtu, nuk shkojnë në deti”, tha një qytetar.

“Jemi me familjen, nusen, vajzën dhe fëmijët. Të relaksohemi pak. Të rinjtë do të shkojnë në pushim, ne kemi fëmijët mysafir nga jashtë, preferojmë të mbetemi këtu, e kemi më mirë”, deklaroi një qytetar.

Kësaj here nuk mungoi as bakllavaja. Në një pjesë të parkut po argëtoheshin rreth 30 anëtarë të një familje, shumica prej të cilëve mërgimtarë nga Belgjika e Turqia. Thanë se pushimet verore janë e vetmja mundësi për tu takuar me familjarët.

“Këto dy javë kemi pas festa, martesën e vajzës dhe nipit, ato u kryn dhe sot kemi dal për piknik këtu ne park. E kishim të planifikuar në Ohër me shku por e anuluam se shumë njerëz ka atje dhe erdhëm këtu. Shumë mirë këtu, jo shumë njerëz, shumë mirë po kalojmë”, u shpreh një qytetar.

“Është e vërtet se po mungon bashkimi familjar me familje, siç ishte më herët. Tash pak edhe situate po e bën të veten, secili është në kërkim të punës, është I angazhuar me punë, nuk mund të mblidhemi si përpara”, tha një qytetar.

“Maqedonia dhe Shkupi ka shumë pasuri, ka lumenj, moti është i bukur dhe njerëzit janë shumë mikpritës. Në Turqi, detin e kam larg vetëm 500 metra por nuk e ndjej të nevojshme të shkoj. Natyra më shumë më pëlqen prandaj edhe vij këtu”, deklaroi një qytetar.

Rritja e thuajse e të gjitha çmimeve ka bërë që shumë qytetarë këtë vit ti anulojnë pushimet verore. Shumë prej qytetarëve tashmë kanë vendosur që këtë vit ditët e pushimit ti kalojnë në pikat më të afërta turistike, varësisht vendbanimit ku jetojnë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button