Samit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, Franca e Gjermania me non-paper për integrimin

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Udhëheqës nga i gjithë Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor janë mbledhur në Mal të Zi për të diskutuar për bashkëpunimin mes BE-së dhe rajonit si dhe zgjerimin e unionit. Në Tivat, Kryeministri Hristijan Mickoski realizoi takim tet-a-tet me presidentin francez Emanuel Makron dhe kancelarin gjerman Fridrih Merc.

Pas takimit, Mickoski u shpreh se i ka përcjellë kancelarit gjerman pozitat e shtetit lidhur me integrimin evropian, duke potencuar siç thotë, ruajtjen e dinjitetit kombëtar.

“Këshilli Evropian qartë thotë se procesi i zgjerimit mbetet gjallë. Detyra jonë është që këtë proces ta ruajmë, të përparojmë por edhe dinjitetin mos ta humbim ashtu siç kjo ishte shembull në të kaluarën kur bëhet fjalë për aspiratat tona në korniza të Bashkimit Evropian. Qëllimi ynë është të mbetemi shtet i cili zbaton më së shumti reforma, njëkohësisht të ngelemi të fokusuar në zgjerim dhe ta ruajmë dinjitetin kombëtar.”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

“Tani do të diskutojmë hapat e ardhshëm në seancën plenare me përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe shpresoj sinqerisht që të arrijmë gjithashtu në përfundime të përbashkëta që do të zbatohen në Bruksel. Ndihem i inkurajuar nga bisedimet e kësaj mëngjesi, por ende ka një rrugë të gjatë përpara.”, tha Fridrih Merc, kancelar gjerman.

Kryeministri bullgar Rumen Radev edhe një herë i bëri me dije Maqedonisë së Veriut se dera e vetme përmes së cilës mund të hyjë në Bashkimin Evropian, është përmes ndryshimeve kushtetuese.

“Jemi të gatshëm të ndihmojmë çdo shtet që aplikon për anëtarësim, veçanërisht vëllezërve tanë nga Maqedonia e Veriut. Presim që ata përfundimisht të përmbushim kornizën negociuese. Kemi konsensus nga korriku i vitit 2024 dhe presim që përfundimisht të ndryshojnë Kushtetutën dhe të përfshijnë bullgarët në të. Është shumë e thjeshtë. Nevojitet ta bëjnë vetëm këtë hap që të hapet dera e procesit negociues”, porositi Rumen Radev, kryeministri i ri i Bullgarisë.

E në prag të samitit, Gjermania dhe Franca kanë paraqitur një të ashtuquajtur non-paper përmes të cilit propozojnë integrim gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë në programet dhe politikat e Bashkimit Evropian. Qëllimi i kësaj nisme është përshpejtimi i integrimit të vendeve kandidate dhe dhënia e një shtyse të re për reforma. Dokumenti franko-gjerman, i përgatitur nga kabinetet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, niset nga vlerësimi se politika e zgjerimit ka nevojë për një impuls të ri politik. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button