Dështimi në PISA 2025, Janevska: Pasojë e reformave të gabuara, rezultatet e reja pas një dekade
Gazetare: Melihate Rustemi
Nxënësit 15-vjeçarë në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar sërish rezultate të dobëta në testimin ndërkombëtar PISA 2025. Sipas të dhënave të OECD-së, nxënësit janë dukshëm nën mesataren ndërkombëtare në matematikë, lexim dhe shkencë. Në matematikë, vetëm 32 % e nxënësve kanë arritur nivelin bazë të njohurive, ndërsa mesatarja e vendeve të OECD-së është 65%. Situata është e ngjashme edhe në shkencë. Rreth 36 % e nxënësve kanë arritur të zotërojnë konceptet bazë, ndërsa asnjë nxënës nga vendi nuk ka arritur nivelet më të larta, 5 ose 6. Në lexim, rreth 26 % e nxënësve kanë arritur nivelin 2 ose më lart, por asnjë nga nxënësit e testuar nuk ka arritur nivelin më të lartë të vlerësimit. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se ky dështim është rezultat i reformave të gabuara të së kaluarës dhe se efektet e masave të reja do të shihen vetëm pas një dekade.
“Për fat të keq, në vitin 2001 kemi pasur rezultate më të mira në lexim dhe kuptim. Rezultatet më të mira i kemi pasur në vitin 2018, gjë që, sipas mësuesve dhe analizave, është rezultat i reformës “Cambridge”. Rezultatet e reformës që po zbatohet aktualisht do t’i shohim atëherë kur këta nxënës të mbushin 15 vjeç, që do të thotë diku pas 9-10 vitesh. Për fat të keq, nuk bëhet fjalë vetëm për programet. Do të duhet t’i kushtojmë shumë më tepër vëmendje edhe elementeve të tjera që përbëjnë sistemin arsimor”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Ministrja Janevska tha se zgjidhja duhet të jetë një kombinim mes metodave tradicionale dhe përdorimit të kontrolluar të teknologjisë. Sipas Janevskës, fëmijët duhet të forcojnë aftësitë bazë në lexim dhe shkrim, ndërsa teknologjia duhet të përdoret për zhvillimin e të menduarit dhe analizës kritike.
“Ende nuk mund të themi se vetëm inteligjenca artificiale ka një kontribut serioz në këtë. Ndoshta ndikim më të madh kanë rrjetet sociale, përdorimi i pakontrolluar i telefonave dhe tablateve. Ne do të përballemi me këtë në mënyrë klasike, atë që e promovojmë vazhdimisht: fëmijët duhet të mësojnë të shkruajnë dhe të lexojnë në mënyrën tradicionale, të zhvillojnë aftësitë motorike dhe mendore, ndërsa mësuesit duhet t’i mësojnë se si ta përdorin teknologjinë në funksion të të menduarit kritik dhe analizës kritike”, theksoi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Rezultatet në matematikë janë më të dobëta në krahasim me testimin e vitit 2022, ndërsa rezultatet në lexim dhe shkencë kanë mbetur përafërsisht në të njëjtin nivel./Alsat.mk.








