Përparim Bajrami përfundon në Shutkë, ka 8 ditë afat për ankesë
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Pas gati dy viteve në arrati, ish drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, mëngjesin e sotëm u paraqit në vendkalimin kufitar në Bllacë. Në ora 5 e gjysmë të mëngjesit, u dorëzua para pjesëtarëve të policisë kufitare. Me të dorëzuar, Bajrami është dërguar menjëherë në paraburgim në Shutkë. Dorëzimi i tij vjen menjëherë pas seancës së parë gjyqësore ku Gjykata vendosi që Bajrami të gjykohet në mungesë. Ish drejtori i Lotarisë Shtetërore, Bajrami, është i dyshuari i parë në rastin “Lotaria”, me akuzën për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, për të cilën parashihet dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet. Jo zyrtarisht, derisa Bajrami ishte në arrati, thuhet se ka qëndruar në Republikën e Kosovës por edhe vende tjera të rajonit.
“Përparim Bajrami i cili sot u dorëzua vullnetarisht në polici, ndodhet në burgun hetues të Shutkës pasi paraprakisht gjykata i caktoi masën e kujdesit. Gjykata Penale ndërkohë ka njoftuar se Bajramit sot i është dorëzuar aktakuza dhe ka afat ankese brenda 8 ditëve”, raporton gazetari, Zekirija Haxhiu.
Seanca e radhës për rastin “Lotaria” ishte planifikuar të mbahet të premten më 11 shtator,, ndërsa tjetra në 16 tetor. Megjithatë, siç njoftojnë nga Gjykata Penale, të dy seancat janë anuluar ndërsa gjykimi i radhës është caktuar për më 18 shtator. Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski duke komentuar kthimin e Bajramit, thotë se si ministri kanë zbatuar vendimet që janë shqiptuar nga Gjykata Penale. Shpreson që gjykimi i tij të përfundojë me një vendim të drejtë.
“Është mirë që dalë nga dalë të gjithë ata që ishin periudhën e kaluar të pa kapshëm për organet e rendit, ngadalë po sigurohen dhe do të përballen me procedurë ligjore të dëshmojnë pafajësinë e tyre apo Prokuroria të dëshmojë atë e ka për detyrë dhe në fund të kemi vendim të drejtë me qëllim që në fund të kemi drejtësi e cila do të rrisë besimin në Gjyqësor”, deklaroi Pançe Toshkovski, ministër i brendshëm.
Sipas Prokurorisë, Përparim Bajrami si i dyshuar i parë dhe 7 persona të tjerë akuzohen se kanë “Keqpërdorur detyrën zyrtare” pasi kanë qenë pjesë e operacionit për furnizimin e aparateve VLT për lojëra elektronike të fatit, për nevojat e Lotarisë Shtetërore edhe pse asnjëherë nuk janë përdorur, pasi që Lotaria Shtetërore nuk ka të drejtë ligjore për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit. Prokuroria e zhvilloi hetimin për veprën penale “Mashtrim në shërbim” për të cilën parashihet dënim me burg prej 4 deri në 20 vjet burg, megjithatë propozim akuzën e dorëzoi për vepër tjetër penale që parashikon dënim më të butë, përkatësisht 1 deri në 5 vjet burg. / Alsat.mk








