Festa e Fitër Bajramit – Kjo ishte atmosfera në të gjithë rajonin

Festa e Fitër Bajramit – Kjo ishte atmosfera në të gjithë rajonin

Gazetare: Ajnur Bafqari

Atmosferë festive në të gjithë rajonin. Besimtarët myslimanë festojnë festën e madhe të Fitër Bajramit duke uruar paqe, mirësi, unitet, mirëkuptim dhe tolerancë ndërfetare, shkruan Alsat.

Në të gjitha xhamitë e rajonit në mëngjes u fal Namazi i Fitër Bajramit. Në Shqipëri, ceremonia kryesore u mbajt në sheshin Skënderbeu të Tiranës.

“U bëj thirrje të rinjve, mos e braktisni vendin tonë. Rrezistoni përballë çdo vështirësie, prindërit kanë nevojë për ju, shoqëria ka nevojë për ju, Shqipëria ka nevojë jetike shumë për ju. Qëndroni në vendin tuaj”, tha Bujar Spahiu, Kryetari i komunitetit mysliman Shqipëri.

Në Kosovë, manifestimi qendror u mbajt në xhaminë e madhe në Prishtinë.

“Të gjithë ne, pa përjashtim dhamë sadakatul fitrin, që askush sot të mos mbetet pa shtruar sofrën e Bajramit. Tërë kjo shpërfaq shpirtin e solidaritetit të theksuar në këtë muaj. Andaj me plotë të drejtë themi se muaji i Ramazanit është muaj i solidaritetit të pashembullt”, u shpreh Naim Tërnava, Myftiu i Kosovës.

Në këtë festë, sot për herë të parë, pas 102 vitesh, në Selanik të Greqisë u hap xhamija Yeni, ose xhamia e re.

Monumenti historik, i cili përdoret si hapësirë ekspozite e Galerisë së Arteve Komunale, u është dhënë për herë të parë që nga viti 1922 myslimanëve për faljen e namazit, pas agjërimit të Ramazanit.

Kujtojmë se pas 14 vitesh dhe pas një sërë pengesash burokratike, xhamia e parë në Athinë ku jetojnë mbi 300 mijë myslimanë, kryesisht emigrantë nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme, është hapur në vitin 2021./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button