Festa e vitit te ri/ Shtatë persona janë lënduar ndërsa 37 persona të tjerë janë privuar nga liria

Festa e vitit te ri/ Shtatë persona janë lënduar ndërsa 37 persona të tjerë janë privuar nga liria

Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Shtatë persona kanë pësuar lëndime si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike gjatë natës së Vitit të Ri. Lëndimet janë regjistruar në zona të ndryshme të trupit, kryesisht në duar. Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, bëri të ditur se gjendja shëndetësore e disa prej të lënduarve ka qenë serioze. Sipas tij, në disa raste mjekët janë detyruar të kryejnë amputimin e gishtërinjve, për shkak të dëmtimeve të rënda dhe të pariparueshme të shkaktuara nga mjetet piroteknike.

“Mjekët theksojnë se gjatë natës së Vitit të Ri kanë kryer ndërhyrje në shtatë persona dy prej tyre të rritur dhe 5 fëmijë, për shkak të lëndimeve më serioze në majën e gishtave është krijuar edhe amputimi i pjesës së gishtërinjve tek disa pacientë, me plagë disa të tjerë në pëllëmbë dhe pjesë të tjera të trupit. Prej tyre tre fëmijë u pranuan në qendrën e urgjencës dy të rritur në klinikën kirurgjike plastike dhe dy fëmijë në klinikën e kirurgjisë pediatrike”, tha ministri i Shëndetësisë.

Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se përkundër intensifikimit të aktiviteteve parandaluese, përdorimi i mjeteve piroteknike mbetet një problem serioz, sidomos në zonat urbane. Ai shtoi se po shqyrtohen mundësitë për vendosjen e dënimeve më të ashpra ndaj shkelësve.

“Për fat të keq, pavarësisht fushatave të shtuara parandaluese, pavarësisht aktivitetit të shtuar parandalues, unë jam banor i qytetit të Shkupit dhe konstatoj se me të vërtetë ka shumë përdorim të piroteknikës. Dhe personalisht po mendoj shtrëngimin e politikës penale që lidhet me, veçanërisht me këtë lloj krimi dhe aktivitetesh të paligjshme, në drejtim të sanksionimit të atyre që tregtojnë, importojnë, kontrabandojnë, shesin ose në çfarëdo mënyre kontribuojnë që piroteknika të përfundojë në duart e fëmijëve”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Ministri i Brendshëm tha se gjatë vitit 2025 janë konfiskuar 252 mijë copë mjete piroteknike, ndërsa janë privuar nga liria 37 persona, ndaj të cilëve janë ngritur kallëzime penale./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button