Skadimi i kontratave/ Akoma nuk dihet fati i të punësuarve nëpër Klinikat e vendit
Skadimi i kontratave/ Akoma nuk dihet fati i të punësuarve nëpër Klinikat e vendit
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Fati i mbi 40 punonjësve shëndetësorë në Klinikën e Gjinekologjisë në Çair, si dhe i dhjetëra të tjerëve në Institucione shëndetësore në vend, mbetet ende i paqartë. Pas skadimit të kontratave, ata mbeten në pasiguri, pa asnjë afat konkret për zgjidhjen e statusit të tyre. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu tha se kërkesa për vazhdimin e kontratave nuk mund të procedohet përderisa kontratat konsiderohen ende aktive, duke e lënë zgjidhjen e problematikës pa datë konkrete.
“Administrativisht nuk mund të bëni kërkesë përderisa keni kontratë aktive, më kuptoni? Nga ana tjetër nuk ka asnjë problem që të njëjtit persona kur do të marrin pëlqimin pozitiv të vazhdojnë me punë edhe të bëhet kontrata nga 1 janari edhe më tej. Pra, kështu ka funksionuar çdo herë”, tha ministri.
Nga ana tjetër, ministrja e Financave thotë se kanë pranuar një numër të madh kërkesash për vazhdimin e kontratave vetëm në dy ditët e fundit të vitit, për të cilat, sipas saj, është e pamundur të jepet përgjigje e menjëhershme kur kërkesat dorëzohen në momentin e fundit.
“Është e pamundur të merrni kërkesë në 30 apo 31 dhjetor dhe të gjithave të ju përgjigjeni në të njëjtën ditë, ne kemi afate dhe do të vazhdojmë më tej…megjithatë patjetër të gjithë dihet ta mësojnë ti respektojnë afatet, në ministrinë e financave më 31 dhjetor kemi punuar deri në orën 20:00 të mbrëmjes dhe punuam për dhënien e pëlqimeve për punësime, nuk mund të jetë fajtore ministria e financave nëse dikush në 30 apo 31 dhjetor është kujtuar se duhet të vazhdohen pëlqime të caktuara”, u shpreh, Gordana Dimitrieska Koçoska.
Pos në Çair, me problem të ngjashëm pol përballen edhe mbi 130 të punësuar në Spitalin Klinik të Tetovës./ Alsat.mk








