“Festival futbolli” me fëmijët në Tiranë, Çeferin dërgon një mesazh të fortë

Në “Shtëpinë e Futbollit” u zhvillua festivali i futbollit si pjesë e programit “Futbolli në Shkolla” të UEFA-s, me pjesëmarrjen e presidentit Aleksander Çeferin, kreut të FSHF-së Armand Duka dhe gjithë Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Në ceremoninë hapëse morën pjesë edhe ish-ylli portugez Luís Figo, kroati Aljosha Asanoviç, si dhe ambasadori i FSHF-së për këtë event Jahmir Hyka. Ish-lojtarë e personalitete vendase ishin me fëmijët nga shkollat locale, duke krijuar një atmosferë festive, duke përshëndetur delegacionin me një korridor mikpritjeje.

“Mesazhi im , jo vetëm për një ndeshje të caktuar, por për të gjithë është se futbolli dhe sporti duhet të jenë gjëja që bashkon njerëzit dhe jo që i përçan. Ne duhet të përpiqemi të largojmë këta ‘idiotë’ që e përdorin futbollin për ideologjitë e tyre absurde. Kudo, jo vetëm në një vend, por në të gjitha vendet. Sepse këta njerëz nuk e duan futbollin. Ata duan vetëm veten e tyre dhe e shfrytëzojnë futbollin për të përhapur idetë e tyre të kota” tha mes tjerash Aleksandar Çeferin, president i UEFA-s.

Ndërkohë numri një i futbollit në Shqipëri, Armand Duka, e cilësoi këtë moment historik si një vlerësim i punës së madhe të bërë nga komuniteti i futbollit në vend për zhvillimin e futbollit në Shqipëri.

 

“Do të doja të falënderoja publikisht presidentin e UEFA-s, z. Aleksander Çeferin, për vendimin që mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të bëhet në Tiranë. Ky është një vlerësim jo vetëm për Federatën e Futbollit, por për të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar. Një vlerësim i bashkëpunimit të Federatës së Futbollit me UEFA-n dhe respekt i punës së komunitetit të futbollit shqiptar,” tha mes tjerash Armand Duka.

 

Moment i veçantë ishte ndeshja e futbollit ku luajtën vetë Çeferin, Figo, Asanoviç, trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, ndihmësit e tij Zabaleta dhe Doriva, Hyka dhe fëmijët pjesëmarrës, duke përcjellë mesazhin se futbolli është sport për të gjithë. /Telesport.al/

LEXO EDHE:

Back to top button