“Zgjedhjet”, Thaçi: BDI-ja do të pësojë humbje katastrofike dhe do të shpërbëhet

“Zgjedhjet”, Thaçi: BDI-ja do të pësojë humbje katastrofike dhe do të shpërbëhet

Gazetar: Suad Bajrami

BDI-ja do të pësojë humbje katastrofike dhe do të shpërbëhet. Ky është vlerësimi i kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi për zgjedhjet lokale të tetorit, i cili paraprakisht braktisi Frontin Evropian. Pika vendimtare për këtë katastrofë, sipas Thaçi është bashkëpunimi me dy krahët e Aleancës për Shqiptarët, të cilat ai i quan tradhtarë të PDSH-së.

“Mendoj se BDI-ja do të pësojë katastrofë në këto zgjedhje. Katastrofë. Shpërbërje. Për shkak se VMRO-ja full do ta mbështesë VLEN-in. BDI-ja në momentin që zoti Ahmeti është vendosur mes Taravarit dhe Ziadin Selës, të gjitha votat tradicionale të PDSH-së që herë janë 17 mijë e herë janë 70 mijë, i ka të humbura. Mua më ka thënë zotëri Ahmeti, hej si do lejosh ti në qytetet shqiptare të fitojë maqedonasi. Si be zotëri, ti 20 vitet e fundit në Tetovë dhe rrethinë PDSH-në e ke mund me maqedonas”, deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH.

Thaçi foli edhe për krisjen e bashkëpunimit me Ali Ahmetin, ndërsa përgënjeshtroi tezat që BDI i propagandon sa i përket koalicionimit me VMRO-DPMNE-në.

“Kur Ali Ahmeti në 2008-tën dhe BDI-ja më kanë ndryshuar mua prej qeverisjes, kanë lidhur pakt pas shpinës sime me Gruevskin për të më rrënuar dhe për të ardhur në pushtet, me plotë përgjegjësi e them ka pasur më pak poste se sa që ka VLEN-i sot. E dini pse e respektoj Mickoskin se po të marrësh në drejtim të karakterit të njeriut nuk i lëshoj pe Ali Ahmetit siç Gruevski lëshoj pe, bëri pas shpinës sime marrëveshje dhe ishte 9 vjet e gjysmë në pushtet. Është një shpjegim formal – si ma merr dot ti mua partnerin strategjik?”, tha Thaçi.

Për herë të parë që nga themelimi i partisë në vitin 1994, PDSH në këto zgjedhje fare nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa Thaçi njoftoi se personalisht nuk do të dalë të votojë. Kulmin e suksesit PDSH e arriti në vitin 2006 kur fitoi 11 deputetë. Megjithatë të pakënaqur nga politikat e Thaçit, nga kjo parti dolën shumë rryma të tjera politike si RDK-ja e Rufi Osmanit, BDSH-ja e Bardhyl Mahmutit, Demokracia e Re e Imer Selmanit, LRPDSH e dikurshme – tani Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr fillimisht nga Ziadin Sela, ndërsa më pas u përça edhe në një pjesë të cilën e udhëheqë Arben Taravari. Së fundmi edhe Bekim Fazliu e Orhan Ibrahimi formuan Lëvizjen “Arbëria”. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button