“UÇK, jo në emrin tonë”, studentët marshojnë kundër aktgjykimit

Gazetare: Ilirida Sulejmani

Me flamuj të Kosovës dhe simbole të UÇK-së në duar, studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, dolën sot në një marsh protestues kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë , ndaj 4 ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Me thirrje “UÇK” dhe “Jo në emrin tonë”, protestuesit shprehën kundërshtimin dhe pakënaqësinë e tyre për vendimin e 16 shtatorit.

Edhe Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, iu  bashkëngjit protestës së studentëve. Ai theksoi se një vlerë kombëtare nuk mund të kriminalizohet nga asnjë proces.

Në mënyrë disproporcionale  janë akuzuar krerët e UÇK-së për krime, duke e anashkaluar faktin që UÇK-ja është përgjigje e gjithë popullit tonë ndaj spastrimit etnik, ndaj aspektit të shtypjes e përdhunimit që ka ndodhur gjatë luftës. Pra, nuk mundet një vlerë kombëtare të kriminalizohet  nga asnjë proces”. – Tha Përparim Rama, Kryetar i Prishtinës

Ndërkohë studentët theksuan se rinia e Kosovës nuk pranon gjykim të padrejtë ndaj atyre mundësuan lirinë të cilën Kosova e gëzon sot.

“Rinia e Kosovës sot jeton e lirë në një shtet të pavarur, demokratik dhe multietnik. Duke respektuar e mbrojtur të gjitha minoritetet në Kosovë, një popull që ka qenë i shtypur për vite me radhë e di mirë se çfarë do të thotë ta përjetosh padrejtësinë, prandaj nuk ia dëshirojmë atë askujt, prandaj nuk pranojmë asnjë gjykim të padrejtë apo dënues ndaj atyre që na e mundësuan këtë liri”. – Tha Donart Humolli, student

“Le ta dinë të gjithë se ky është zëri ynë si studentë, ky është zëri që e ka udhëhequr procesin e Republikës së Kosovës që nga viti ’89, dhe do ta udhëheqë sot e përjetë. Duke e respektuar UÇK-në.” – Deklaroi Granit Spahiu, Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës

Protestës iu bashkëngjit edhe djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi. Pas përfundimit të marshit, studentët u shpërndan të qetë. Protesta kundër aktgjykimit të Speciales janë duke u mbajtur në Prishtinë për çdo natë./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button