PDK kërkon ndryshimin e ligjit për Specialen – Hamza u bën thirrje VV-së, LDK-së dhe AAK-së

Partia Demokratike e Kosovës ka proceduar në Kuvend nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se kjo kërkesë vjen nga protestat e vazhdueshme të qytetarëve pas dënimit të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit. Hamza sqaroi se nisma nuk synon mbylljen e Gjykatës Speciale apo pengimin e hetimit të rasteve për të cilat ajo është krijuar, përfshirë pretendimet për trafikim organesh, por ndryshimin e ligjit për të përcaktuar më qartë kufijtë e mandatit dhe kompetencave të saj.

“Projektligji nuk e shuan Gjykatën Speciale. Ai përcakton që të merret me pretendimet konkrete për të cilat është krijuar dhe lidhet me raportin e Dick Martyt. Për krimet e tjera të luftës dhe veprat që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ato pretendime, përgjegjësinë e marrin institucionet e drejtësisë të Kosovës. Asnjë rast nuk mbyllet vetëm pse del jashtë mandatit të Speciales. Nëse një rast nuk i përket juridiksionit të saj, ai transferohet në Kosovë. Projektligji nuk krijon boshllëk në drejtësi”. – Bedri Hamza, Kryetar i PDK-së.

Për rastet që aktualisht janë në proces, Hamza tha se projektligji parasheh që procedurat të vazhdojnë në Apel sipas strukturës ekzistuese të Dhomave të Specializuara. Në rast se Apeli urdhëron rigjykim, sipas tij, ai do të zhvillohej sipas juridiksionit të ri dhe, kur të plotësohen kushtet, rasti do të transferohej në Kosovë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit ishte senatori zviceran Dick Marty.

Hamza tha se projektligji parasheh edhe mundësinë që organizata ndërkombëtare profesionale dhe të pavarura të monitorojnë punën e Gjykatës Speciale, përfshirë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, standardet e gjykimit të drejtë, kushtet e paraburgimit dhe kohëzgjatjen e proceseve. Këto organizata do të raportonin para Kuvendit dhe publikut.

Hamza tha se PDK-ja ka diskutuar për këtë nismë me drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës dhe u bëri thirrje këtyre subjekteve që ta mbështesin projektligjin.

Gjykata Speciale më 16 shtator ka dënuar me 81 vjet burgim ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Ata u shpallën fajtorë për disa krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Të katër ish-krerët e UÇK-së kanë mohuar akuzat dhe kanë paralajmëruar se do ta apelojnë aktgjykimin. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button