Gazetare: Melihate Rustemi
Vendimi i Komunës së Gazi Babës ishte që, duke filluar nga kjo e hënë, himni shtetëror të intonohet në të gjitha shkollat fillore në territorin e komunës. Por, në Shkollën Fillore Komunale “22 Nëntori”, sot himni nuk u dëgjua. Në vend të tij, në klasat e shkollës u dëgjuan zërat e nxënësve dhe mësuesve. Prindërit ndërkaq janë kategorikisht kundër intonimit të himnit.
Prindërit e nxënësve në shkollën „22 Nëntori“ në Hasanbeg të Gazi-Babës e konsiderojnë këtë vendim si një tendencë për përfitime politike.
“Vendimi i komunës është vetëm politik i cili të fitoj pikë politike mbi kurrizin e fëmijëve, që kjo nuk diskutohet aspak. Na thanë se do të bëhet por kjo nuk bëhet. Ai mundet vetëm me i drejtu qëllimet politike që ta mashtroj popullin e vet dhe në anën tjetër të vjedh. Ky është qëllim politik dhe nuk kalon dhe i lutem sa më larg politika. Jemi në shkollë për ta vërtetu dhe për të tregu se kjo nuk kalon dhe politikën larg”, tha një prind.
Kundërshtime ka pasur edhe nga përfaqësuesit lokalë. Përfaqësues të Këshillit të Fshatit theksojnë se vendime të tilla kurrë nuk janë zbatuar në shkollat shqiptare.
“Ne jemi të informuar për himnin që të intonohet në shkollë shqiptare ku asnjë maqedonas nuk është këtu vetëm prej fb. As në kohën eTitos, as Rankoviqit e as të kërkujt tjetër nuk është intonuar himni te shkollat shqiptare, e sot të intonohet, nuk është e arsyeshme”., theksuan nga Këshilli i Fshatit Hasanbeg.
Himni shtetëror nuk u intonua as në shkollën periferike „Kirili dhe Metodi“ në fshatin Straçincë të komunës së Gazi-Babës. Javën e kaluar, kryetari i kësaj komune, Boban Stefkovski paralajmëroi për sot nisjen e zbatimit të vendimit për intonimin e himnit shtetëror në të gjitha shkollat fillore të kësaj komune, vendim që sipas tij ishte miratuar në këshillin komunal të vitit 2023. Nga Këshilli i Gazi Babës, kundër vendimit është shprehur publikisht këshilltarja e Aleancës për Shqiptarët Makfire Iseni, e cila e ka cilësuar atë si përpjekje për të mbuluar, sipas saj, problemet në arsim në këtë komunë. Ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski u ka bërë thirrje komunave të tjera ta ndjekin shembullin e Gazi Babës dhe ta respektojnë intonimin e himnit shtetëror në shkolla. Ai ka thënë se nuk është kundër intonimit të himnit shqiptar në komunat me shumicë shqiptare, por ka theksuar se ai duhet të intonohet bashkë me himnin shtetëror./Alsat.mk








