PISA nxjerr në pah krizën në arsim, 15-vjeçarët e Maqedonisë së Veriut nën mesataren evropiane

Gazetare: Ilirida Sulejmani

Rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA, tregojnë se nxënësit në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të jenë nën mesataren e vendeve evropiane në të gjitha fushat. Rezultate kanë hapur diskutime për sfidat me të cilat përballet arsimi. Nga Ambasada e Fëmijëve “Megjashi” dhe Ministria e Arsimit thonë se nevojiten përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e sistemit arsimor, por pa munguar edhe motivimi për nxënësit dhe mësuesit. Pisa dëshmoi se nxënësit 15 vjeçar te ne pothuajse janë analfabet funksional. Por sipas sekretares Shtetërore në Ministrinë e Arsimit Elena Ivanovska, rezultatet nuk janë keq. Ivanovska shtoi se nxënësit duhet të motivohen më shumë dhe të kuptojnë rëndësinë e testimeve.

“Kemi shumë punë për të bërë, kemi fëmijë të cilët duhet t’i motivojmë, sepse fëmijët tanë më të vërtetë nuk janë me rezultate aq të këqija. Mendoj se njëra nga arsyet është se fëmijët nuk e kuptojnë sa i rëndësishëm është ai testim. Nuk e kuptojnë se me ato rezultate ne krahasohemi me fëmijët e tjerë. Duhet t’u mësojmë fëmijëve çfarë kanë marrë nga ajo lëndë, me çfarë njohurish duhet të dalin jashtë dhe si ato njohuri t’i zbatojnë në jetën e përditshme. Ndoshta kjo është një fushë në të cilën ne duhet të punojmë. Besojmë se në testimin e ardhshëm do të kemi rezultate më të mira.” Deklaroi Elena Ivanovska, Sekretare Shtetërore në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Ndërkohë, Kryetari i Ambasadës së Fëmijëve “Megjashi”, Dragi Zmijanac, thekson se një nga problemet mbetet politizimi i arsimit dhe punësimit që nuk bazohen gjithmonë në bazë të profesionalizmit.

“Na pengon arsimi i politizuar dhe na pengon arsimi ku punojnë mësues të cilët nuk janë mjaftueshëm të kualifikuar dhe të aftë. Por ne, të cilët jemi vërtet të përkushtuar dhe duam të punojmë, që besojmë në atë që bëjmë, duhet të shpërblehemi në mënyrë të përshtatshme dhe adekuate për këtë, të mos vendosemi në minimum ekzistencial dhe në këtë mënyrë të fitojmë edhe arsim cilësor.” Tha Dragi Zmijanac, Drejtor i Ambasadës së Fëmijëve “Megjashi”.

Në rajon, rezultate më të larta se Maqedonia e Veriut kanë shënuar Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa Shqipëria ka shënuar përmirësim të dukshëm krahasuar me vitin, 2022, ndërsa Kosova mbetet pothuajse njëjtë.  Ndër vendet me rezultate më të larta në testin PISA vazhdojnë të jenë vendet aziatike si Singapori, Japonia dhe Koreja e Jugut, të cilat renditen dukshëm mbi mesataren./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button