Gazetar: Zekirija Haxhiu
Deputetët me certifikatë sigurie nga komisioni për mbikëqyrjen e punës së agjencisë për siguri kombëtare dhe asaj të Zbulimit, vazhduan sot me vizitën e dytë të tyre, kësaj here në Agjencinë për Zbulim. Deputetët e VMRO-së i shpërfillën gazetarët dhe interesin tonë në hyrje, lidhur me vizitën. Edhe pse para opinionit duhet të tregojnë se çfarë dokumentesh po kërkojnë gjatë kësaj vizite mbikëqyrëse lidhur me dyshimet për një skandal të ri përgjimesh dhe ndjekje të funksionarëve dhe gazetarëve, ata refuzuan të jepnin sqarime. Nga ana tjetër, pas vizitës së djeshme në Agjencinë për Siguri Kombëtare, nëpërmjet Kuvendit, u njoftua se ata nuk kishin arritur të merrnin informacionet që kishin kërkuar. Nga ASK janë arsyetuar se nuk mund të ndajnë të dhëna të cilat janë pjesë e lëndës parahetimore të Prokurorisë për Krim të Organizuar, por i kanë informuar në pika të shkurtra se për çfarë bëhet fjalë.
“Në takim drejtori i ASK-së, Bojan Hristovski, informoi anëtarët e komisionit lidhur me parregullsitë dhe mangësitë, respektivisht për veprimet joprofesionale dhe joligjore të Agjencisë, në periudhën prej vitit 2019 deri 2024. Njëkohësisht, drejtori informoi dhe se janë dorëzuar informacione deri te Prokuroria Publike e cila vepron në rastin konkret. Nga këto shkaqe, deputetët nuk patën mundësi për mbikëqyrje të dokumentacionit”, thonë nga Kuvendi.
Duke pasur mirëkuptim për procedurën hetimore lidhur me përgjimet, deputetja e LSDM-së Sllavjanka Petrovska u ndal për gazetarët duke shuar kërshërinë e medias.
“… Nga ana tjetër, kemi ligjin e Agjencisë për Siguri Kombëtare ku Komisioni për mbikëqyrje ka të drejtë, por unë do të thosha në raste të tilla ka për obligim të bëjë mbikëqyrje dhe të parashtrojë pyetje. Por, nëse neve nuk na lejohet të shohim dokumentet që përmenden se mund të fshehin ndonjë vepër penale, atëherë ngelet që thjesht t’i besojmë njëri-tjetrit. Nuk është puna të besojmë apo të mos besojmë por kemi për detyrë të kontrollojmë nëse ajo që flitet është e vërtetë apo jo”, tha Sllavjanka Petrovska – LSDM.
Në Agjencinë e Zbulimit erdhën vetëm deputetët anëtarë që posedojnë certifikatë sigurie. Anëtarët e tjerë kryesisht, kryesisht nga opozita, madje edhe asnjë shqiptar, nuk kanë certifikata dhe nuk mund të marrin pjesë në mbikëqyrje. /Alsat.mk








