Filipçe: Gjendja epidemiologjike në vend është e qëndrueshme, nuk ka nevojë për masa shtesë
Gazetar: Vjollca Aliti
Në javën e parë të vitit të ri do të realizohen një grup testimesh për tu parë nëse në vend ka prezencë më të madhe të rasteve me Omikron, shkruan Alsat.
Ministri i Shëndetësisë tha se për momentin mbetet vetëm një rast i konfirmuar. Por edhe në rast të konfirmimit të disa rasteve, nuk do të ketë masa shtesë shtrënguese. Autoritetet vazhdojnë të apelojnë për respektimin e masave që janë në fuqi.
“Situata që është në vendet e rajonit mund të reflektojë për shkak të udhëtimeve të shpeshta të qytetarëve nëpër ato vende fqinje duhet të kemi dhe këtu një mesatare. Javën e ardhshme do të bëhet një grup testimesh të cilat do të sekuencionohen por për momentin nuk ka absolutisht asnjëfarë shenja se do ketë përkeqësim të situatës”, deklaroi Venko Filipce, Ministër i Shëndetësisë.
Lidhur me incidentin e mbrëmshëm në Klinikën e Pulmologjisë kur një pacient ka hequr maskën e oksigjenit dhe ka ndezur cigare duke shkaktuar zjarr, Filipçe nuk paralajmëroi përgjegjësi.
“Kjo është diçka që na tregon se të gjithë ne jemi të përgjegjshëm. Ka pasur pacient i cili ka ndezur cigare derisa ka qenë nën terapi me oksigjen. Për fat ka pasur njerëz përreth të cilët kanë intervenuar dhe kanë penguar të ndodhë tragjedi. Secili prej nesh duhet të jetë i përgjegjshëm në këtë situatë sa i përket sjelljes së tij dhe procedurave”, u shpreh Venko Filipce, Ministër i Shëndetësisë.
Në momentin kritik personeli mjekësor ka ndërprerë furnizimin me oksigjen duke parandaluar një shpërthim më të madh zjarri ndërsa pacienti ka përfunduar me djegie të lehta në fytyrë dhe gjoks. Klinika e Pulmologjisë rastin e ka paraqitur në polici. Gjatë këtij incidenti nuk ka persona të tjerë të lënduar ndërsa është dëmtuar një pjesë e vogël e dyshemesë. /Alsat.mk








