Filloi debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Filloi debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Gzetar: Lluka Andreev

Jozyrtarisht, javën e ardhshme pritet të krijohet një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë që do të punojë për Kodin e ri Zgjedhor. Ai do të përfshijë ekspertë, përfaqësues të sektorit joqeveritar, OSBE-në, si dhe anëtarë të caktuar nga partitë parlamentare. Ata do të fillojnë punën edhe pse VMRO-DPMNE nuk e ka caktuar përfaqësuesin e saj brenda afatit, edhe pse Ministria e Drejtësisë  ka ofruar që anëtari i tyre që të jetë kryetar i grupit punues. Nga Ministria e Drejtësisë për Alsat thonë se ftesa është e hapur, ndaj nëse shprehin dëshirën e presin VMRO-DPMNE-në në mbledhjet ku do të hartohet Kodi i ri Zgjedhor.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, më herët tha se fillimisht pret të dëgjojë se cili do të jetë qëndrimi i koalicionit qeveritar për propozimin për një njësi zgjedhore, për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive në pushtet. Ai së fundi përmes rrjeteve sociale ka shkruar se në një takim me shefin e misionit të OSBE-së, Kilian Val ka bërë të ditur se VMRO-DPMNE do të votojë rekomandimet teknike të OSBE-ODIHR-it, ndërsa për modelin zgjedhor fillimisht do të presë që Qeveria të pajtohet.

Ndërkohë, për debatin publik që u ngrit pas kërkesës së partive më të vogla për një njësi zgjedhore, ekspertët thonë se modeli aktual zgjedhor është i dyti për nga proporcionaliteti në Evropë dhe ndryshimi i mundshëm fsheh rreziqe në funksionimin e shtetit.

“Modeli zgjedhor i Maqedonisë është i dyti nga 32 vendet evropiane për nga proporcionaliteti i tij, gjë që sugjeron se ndoshta duhet të mendojmë ose të ruajmë modelin aktual zgjedhor ose të paktën të jemi të kujdesshëm për ndryshimin e mundshëm të tij”, deklaroi Kristijan Fidanovski – politolog.

“Rreziku i komplikimit të mëtejshëm të koalicioneve qeverisëse, në drejtim të stabilitetit apo jostabilitetit të tyre, e gjitha kjo në kuadrin e klientelizmit të lartë, nivelit të ulët të kulturës politike, numrit të madh të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare etj. mund të krijojë një mjedis politik shumë më të paqëndrueshëm”, tha Marko Troshanovski – Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.

Qëllimi i Ministrisë së Drejtësisë është që Kodi i ri Zgjedhor të miratohet pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve. Edhe nga KSHZ thonë se janë gati për zbatim. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button