Fjalimi vjetor i Presidentit nuk i përmbushi pritjet e opozitës
Fjalimi vjetor i Presidentit nuk i përmbushi pritjet e opozitës

Gazetar: Lluka Andreev
Qeveria e vlerësoi fjalimin e presidentit Stevo Pendarovski në Kuvend si burrështetas, ndërsa opozita si të zbehtë. Sipas deputetëve të opozitës, kreu i shtetit është sjellë si analist dhe në fjalim i ka shmangur temat e inflacionit, krimit dhe korrupsionit.
“Ai duhet të jetë president i të gjithëve dhe nuk duhet të veprojë si poltronë në mbrojtje të qeverisë që po e çon Maqedoninë në humnerë dhe sundon me krim dhe korrupsion. E rëndësishme për të nuk ishte përparimi i Maqedonisë, por nëse do të mbështetej në mandatin e ardhshëm apo jo nga LSDM-ja”, deklaroi Vllado Misajlovski – VMRO-DPMNE.
“Sundimi i ligjit ka kapitulluar, ndërsa ne nuk kemi ndonjë qëndrim konkret të presidentit të vendit. Presidenti i shtetit nuk mundet vetëm të deklarojë dhe të konstatojë se institucionet duhet të zhdukin korrupsionin. Kjo është e papranueshme”, tha Halil Snopçe – Aleanca për Shqiptarët.
Nga ana tjetër, partitë në pushtet e përshëndetën faktin që Pendarovski kërkoi votim për amendamentet kushtetuese.
“Bllokadat e opozitës në Parlament, por edhe jashtë tij duhet të ndalen përfundimisht, janë të papërgjegjshme dhe në dëm të qytetarëve dhe shtetit. Është e nevojshme të bashkohen të gjithë aktorët shoqërorë dhe politikë rreth rrugës evropiane të vendit dhe në këtë drejtim e vlerësojmë edhe thirrjet e presidentit Pendarovski”, tha Daniela Koleva – LSDM.
“Ne duhet të marrim vendimin shtetëror duke përfshirë komunitetet e tjera, duke përfshirë komunitetin bullgar në Kushtetutë, në mënyrë që të bëhet dallim i qartë, dhe ky është përfitimi, që të bëhet një dallim i qartë midis popullit maqedonas dhe atij bullgar”, u shpreh Arbër Ademi – BDI.
Ndryshe, të paktën ajo për të cilën bien dakord partitë e bllokut shqiptar të pushtetit dhe opozitës është se mbështetja për vetingun është e nevojshme. Sipas Snopçes, Pendarovski ka “dezertuar” nga tema, me deklaratën se sistemi i drejtësisë nuk ka kapacitet për një proces të tillë, ndërsa Ademi ka thënë se BDI-ja ka përgatitur projektligj për vetting të zyrtarëve, gjykatësve, prokurorëve dhe në polici, dhe kjo mund të çojë në një demokraci funksionale dhe besim më të lartë në institucione. /Alsat.mk