Flasin analistët për gjendjen në veriun e Kosovës

Flasin analistët për gjendjen në veriun e Kosovës

Kryetarët e katër komunave në veri duhet të ushtrojnë mandatin e tyre në objekte alternative dhe pastaj të caktohet data për zgjedhjet e reja në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, kërkesa këto edhe të bashkësisë ndërkombëtare, thotë njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj.

Sipas tij, propozimi pesë pikësh i kryeministrit Kurti dhe fokusimi vetëm në sundim të ligjit nuk mund të prodhojë zgjidhje.

“Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet t’i pranojë kushtet e partnerëve ndërkombëtarë edhe sa i përket tërheqjes së kryetarëve në objekte alternative, tërheqjes së njësive speciale atje dhe caktimit të një date të re të zgjedhjeve në ato komuna. Por paralelisht me këtë mendoj se Qeveria dhe kryeministri Kurti duhet të kërkojnë përkrahje ndërkombëtare për mbështetje ndaj Policisë së Kosovës për secilin aksion që e ndërmerr në veri, që ndërlidhet me luftimin e kriminalitetit apo tendencën e sundimin e ligjit të atë anë”, deklaroi Arton Demhasaj, analist.

Mungesë të vizionit për të ecur drejt depërshkallëzimit të situatës në veri, sheh edhe analisti tjetër Albinot Maloku. Megjithatë, ai thotë për KosovaPress se kryeministri Kurti shpeshherë ka pranuar kërkesat ndërkombëtare në momentin e fundit.

“Unë nuk po shoh shumë ecje përpara, presionet në momente të caktuara të faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës po më duken paksa të tepruara. Të zhdrejta në krahasim me akterët që kanë punuar më përpara qoftë në Kosovë apo Serbi. Sidoqoftë, unë konsideroj që nga tradita politike e kryeministrit të vendit, ai ka ndryshuar në momente kur nuk është pritur të ndryshojë, prandaj mendoj se ai edhe tash do të ndryshojë”, u shpreh Albinot Maloku, analist.

Në anën tjetër, analisti Demhasaj, vë në pah acarimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë.

“Qeveria duhet të vendos në peshore, a më e rëndësishme për Kosovën është të mbahen këta kryetarë të komunave me nga një grusht votash në objektet komunale në veri, apo më e rëndësishme është marrëdhënia e Kosovës me aleatët tanë, sidomos me SHBA-në. Kur i peshon këto dyja, më e rëndësishme për Kosovën është t’i ketë marrëdhëniet e mira me partnerët ndërkombëtarë, veçmas SHBA-në, pasi pa ato Kosova s’mundet të zhvillohet as në aspektin demokratik dhe ekonomik, po ashtu nuk mundet të anëtarësohet në strukturat e ndryshme euroatlantike”, shtoi Albinot Maloku, analist.

Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, ku grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar.

LEXO EDHE:

Back to top button