Flik: Dua trofe me Barcelonën, çmimet e mia le të mbeten në prapavijë

Strategu gjerman në pankinën e Barcelonës, Hansi Flik, ka arritur ta kalojë Real Madridin në “El Clasico”-n e madhe, ndërsa ka marrë edhe çmimin për trajnerin e muajit në La Liga.
Flik ka bërë një fillim të jashtëzakonshëm të qëndrimit të tij në Katalonjë dhe skuadra e tij po del dalëngadalë si pretendentët kryesorë për titullin e La Ligës, por trajneri u përpoq të zbuste euforinë dhe me modesti tha se Barça do të rritet hap pas hapi.
“Nuk më interesojnë çmimet mujore, vjetore dhe të arritjeve gjatë gjithë jetës. Shpërblimi më i madh për mua do të ishte nëse fitonim titullin në Spanjë dhe pse jo edhe në Ligën e Kampionëve. Rruga për të arritur atje është shumë e vështirë dhe e mundimshme, por besoj se ekipi im ka cilësi për një gjë të tillë. Nuk dua të krijoj asnjë eufori, dua vetëm të jem realist dhe optimist. Nuk do ta bëja këtë punë nëse nuk do të besoja se mund të fitoja trofetë më të rëndësishëm. Unë dua që ne të fitojmë me Barcelonën dhe çmimet e mia le të mbeten në prapavijë”, tha Flick.
Barcelona aktualisht është gjashtë pikë para Real Madridit dhe në turin e ardhshëm do të përballet me Espanjollin në derbin e madh të qytetit.