Fluturimi çarter nga Maqedonia tek nesër do të niset për në Izrael
Fluturimi çarter nga Maqedonia tek nesër do të niset për në Izrael
Gazetar: Lluka Andreev
Gjashtë ditë pas fillimit të luftimeve në Izrael, autoritetet e vendit po organizojnë një fluturim të veçantë për të evakuuar qytetarët tanë. Sipas informacionit të ndarë nga Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, 60 shtetas të Maqedonisë tashmë janë larguar nga Izraeli dhe 90 të tjerë pritet të largohen nesër. Në pikëpyetje mbetet evakuimi i një çifti të qytetarëve maqedonas që janë në një zonë kritike në Rripin e Gazës, afër Egjiptit. Ata kanë dashur të largohen dhe kanë kontaktuar diplomatët tanë, por para se të largoheshin, autoritetet egjiptiane mbyllën kalimin kufitar. MPJ thotë se tani janë në komunikim me autoritetet në Kajro.
Transferimet deri më tani janë kryer me avionët e vendeve fqinje, pasi nuk kemi një linjë ajrore kombëtare. Osmani nuk tregoi përse tani kishin vendosur të dërgonin një fluturim çarter.
“I vetmi avantazh do të ishte po të kishim një avion qeveritar, më të përshtatshëm, që t’i kishim evakuuar më herët, por kjo është një situatë që do të duhet të merret parasysh në të ardhmen për raste të tilla”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski fajësoi qeverinë për atë që ai e përshkroi si paaftësi epike për të kthyer qytetarët në Maqedoni.
“Civilët atë ditë thjeshtë vuajtën pas sulmit të këtyre terroristëve, dhe vendet përreth arritën të dërgonin fluturime çarter dhe qytetarët e Malit të Zi, Serbisë, Kroacisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës tashmë janë këtu, dhe për fat të keq për bashkëqytetarët tanë nuk ka kush të kujdeset për ta”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Disa nga shtetasit e Maqedonisë u kthyen me fluturime speciale të Qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi, ndërsa disa të tjerë me fluturime komerciale. /Alsat.mk