FMN paralajmëron: Konflikti i zgjatur sjell kohë të vështira, masat e pakontrolluara rrisin çmimet

Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se po ndjek nga afër zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, të cilat kanë ndërprerë zinxhirët e furnizimit, kanë rritur çmimet dhe kanë shkaktuar pasoja të mëdha për njerëzit dhe ekonomitë në mbarë botën. Sipas drejtoreshës së FMN-së, Kristalina Georgieva edhe nëse konflikti është afatshkurtër ngadalësohet rritja globale. Ajo thotë se nëse konflikti vazhdon duhet të përgatitemi për kohë të vështira.

“Ndikimi në ekonominë globale është tashmë i madh. Edhe nëse konflikti është afatshkurtër, dëmtimi i gjerë i infrastrukturës dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit po rrisin çmimet dhe po ngadalësojnë rritjen globale, nga 3.4% vitin e kaluar në 3.1% në vitin 2026. Por nëse konflikti vazhdon dhe çmimet e naftës mbeten të larta për një periudhë të gjatë, duhet të përgatitemi për kohë të vështira përpara,” deklaroi Kristalina Georgieva, Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se borxhi publik global është në rrugë për të kaluar 100% të Prodhimit Bruto Vendor në vitin 2029, një nivel që nuk është parë që nga pasojat e Luftës së Dytë Botërore. Sipas FMN-së, shumë vende deri tani kanë shmangur uljet e patargetuara të taksave, ndërsa disa vende po vendosin masa të patargetuara dhe veprimet e tilla do ta zgjasin dhimbjen e çmimeve të larta.

“Për të ruajtur besueshmërinë e politikës fiskale, vendimmarrësit duhet të gjejnë një ekuilibër të kujdesshëm midis sigurimit të qëndrueshmërisë fiskale dhe mbrojtjes së atyre që goditen më rëndë dhe kanë kapacitetin më të kufizuar për të reaguar. Lajmi i mirë është se shumë vende deri tani kanë shmangur uljet e patargetuara të taksave, subvencionet për energjinë dhe kontrollin e çmimeve. Lajmi më pak i mirë është se po shohim disa vende që po vendosin masa të patargetuara, kontrolle eksporti ose ulje të gjera taksash. Edhe pse qëllimi i këtyre masave mund të jetë i mirë, për të mbrojtur njerëzit nga goditja, veprime të tilla të patargetuara vetëm sa do ta zgjasin dhimbjen e çmimeve të larta,” tha Kristalina Georgieva, Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ndërkohë ministrat e financave nga 11 vende, përfshirë Britaninë, Japoninë dhe Australinë bënë thirrje për një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme të konfliktit të Lindjen e Mesme pasi përçarja e vazhdueshme në Ngushticën e Hormuzit do të paraqiste rreziqe serioze shtesë për sigurinë globale të energjisë, zinxhirët e furnizimit dhe stabilitetin ekonomik dhe financiar. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button