Franca në OKB kërkon vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi

Përfaqësuesja e Francës në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që të vazhdojnë dialogun si të vetmen alternativë për zgjidhjen e kontesteve mes tyre.

Në fjalën e saj, ajo ka thënë se tensionet në veri të Kosovës përkujtojnë se është e nevojshme që të mbyllen kontestet midis Kosovës dhe Serbisë, shkruan lajmi.net.

Ajo më tutje ka thënë se marrëveshja finale duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe se marrëveshjet e arritura nga viti 2011 kanë krijuar përparësi të dukshme tek popullata në të dy palët.

“Zgjidhja e kontesteve mes Beogradit dhe Prishtinës është çështje e sigurisë evropiane. Tensionet e fundit në veri të Kosovës janë përkujtuese për këtë, në këtë aspekt ne mirëpresim marrëveshjet e bëra në Bruksel më 30 shtator me lehtësimin e Përfaqësuesit Special të BE-së Mirosllav Lajçak. Ne kërkojmë nga të dyja palët që të arrijnë deri te një zgjidhje afatgjate për këtë çështje. Kjo krizë është ilustrim i mëtutjeshëm i faktit se nuk ka alternativë tjetër ndaj dialogut, qoftë për Kosovën dhe qoftë për Serbinë. Nuk ka asnjë rrugë tjetër përpos një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ligjore për një zgjidhje të qëndrueshme për kontestin mes dy vendeve. Ne kërkojmë nga Beogradi dhe Prishtina që të vazhdojnë me dialog konstruktiv në frymën e kompromisit të lehtësuar nga BE-ja. Kemi nevojë që t’i ikim çfarëdo akti të njëanshëm që mund ta minojë këtë dialog. Marrëveshjet për këtë të arritura përmes dialogut që nga viti 2011 kanë krijuar përparësi të dukshme tek popullata dhe mbesin obligative për të dyja palët. Ne i kërkojmë që të gjitha palëve që të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha obligimet e tyre të arritura përmes dialogut”.

“Presidenti jonë Emmanuel Macron është i përkushtuar plotësisht në këtë drejtim dhe në përpjekjet që bën Përfaëqësuesi Special i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak dhe ne gjithashtu dëshirojmë të mbështesim përpjekjet për reforma që po bën qeveria në Kosovë , veçanërisht për luftimin e korrupsionit, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik”, tha ajo.

LEXO EDHE:

Back to top button