Fshati Goshincë po shkon drejt zbrazjes

 Gazetare: Melihate Rrustemi

Mjegulla kishte mbuluar çdo shtëpi të fshatit Goshincë të komunës së Likovës. Shiu i vjeshtës e kishte bërë të pakalueshme thuajse çdo rrugë në fshat duke mbyllur në shtëpi edhe ato pak banorë që kanë mbetur. Pikërisht, mungesa e infrastrukturës ka detyruar që shumë banorë të shpërngulen në fshat tjetër ose qytet për jetë më të mirë e më të lehtë.

 “Xhipa nuk mund të blejmë të gjithë, ka njerëz që janë edhe pa punë, ky shoku as ndihmë sociale nuk mer. A e mban mend fshati si ka qenë dikur? Po, si jo. Ka pas njerëz, ka pas 70-80 shtëpi. Në gjeneratën time, te shkolla kemi qenë 140 nxënës. Më shumë janë shpërngul në Haraçinë, Opajë, Mateç, Ramanli. Për pushime ka disa që vijnë, ka edhe disa që ruajnë kafshë, punojnë diçka, mbjellin patate, speca, fasule, misër, që të mbahen disi”, tha Xhelal Limani, banor i fshatit.

“Jeta është mirë, normal është këtu, s’kemi njerëz shumë ama e kalojmë kohën. Kushtet mirë janë, fshati i mirë është por rruga na mungon më tepër këtu. Problem kryesor është rruga. Unë kam jetuar në Haraçinë më shumë se 30 vjet, u ktheva në kohën e pandemisë, fillimisht për vikend pastaj mbeta, tashmë dy vjet e më shumë jam këtu. Sërish të shtëpia e vjetër? Po, prapë te bunari vjetër. Në atë kohë nuk punonte shkolla në Haraçinë, këtu punonte shkolla, fëmijët dëshironin më shumë këtu”, u shpreh Bashkim Sinani, banor I fshatit Gushincë.

 Lokja Alije Bilalli është banorja më e moshuar e fshatit Goshincë, rreth të 90-tave. Në moshë të re kishte ardhur nuse në këtë fshat, të cilin e kujton me përplot njerëz por gjithmonë me mungesë të kushteve për jetë.

“Vitin tjetër edhe në po ikim, kësmet po, çka të bëjmë këtu, nuk po mundemi të rrimë. A ishe mërzit me dal prej këtu? Po, mërzitem. Kam qenë e re atëherë, nuk kam dit, ta kisha dit se kështu nuk kisha ardhur kurrë. Problemi më i madh rruga? Rruga, nuk po kemi asgjë hiç, nëse njeriu s’ka rrugë asgjë nuk bën, makina nuk lëviz, asgjë jo, çka ki me bë. A të kujtohet, ju gratë me çka jeni marrë, a keni punuar? Ne gratë kemi korrë, kemi fshi me kuaj, kështu kemi mbet gjallë”, tha Alije Bilalli, banore.

Përveç banorëve të paktë që kanë mbetur, i ulët është edhe numri i të nxënësve në shkollën periferike “Dituria”.

“Prej klasës së gjashtë e më lart jemi bashkë dhe prej të parës deri të pestën jemi bashkë. Shkaku që nuk jemi shumë nxënës edhe nuk përzihemi, mirë jemi me mësime. Çka I mungon fshatit, çka duhet të jetë diçka më mirë që më lehtë të lëvizni? Po, rruga ndoshta duhet pak të ndërtohet”, u shpreh një nxënëse e shkollës periferike “Dituria”, fshati Goshincë.

Siç kujtojnë banorët ky fshat dikur numëronte mbi 700 banorë me rreth 80 shtëpi të banuara kundrejt 11 që ka për momentin. Goshinca shtrihet në shpatin e Karadakut të Kumanovës, në zonën kufitare të Maqedonisë dhe Kosovës. 27 km larg qytetit të Kumanovës dhe rreth 12 kilometra larg komunës së Likovës. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button