Gara për Shtëpinë e Bardhë, Bajden paraprin me votat e hershme

Amerikanët votojnë sot në zgjedhjet presidenciale më të polemizuara në dekada, ku zhvillohet një garë mes presidentin aktual republikan, Donald Trump, dhe oponentit të tij demokrat, Joe Biden.

Ish-zëvendëspresidenti, Biden, thotë se ai mund të vazhdojë të ndjekë gjurmët e Barak Obamës dhe të bashkojë vendin në kohë sfiduese të krijuar nga pandemia. Biden, 77 vjeç ka shërbyer për gjashtë mandate si senator, i zgjedhur së pari në vitin 1972 dhe ishte zëvendëspresidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara në administratën e Obamës. Ai prezanton veten si një njeri i qëndrueshëm dhe i palëkundur. Ndërsa koronavirusi përfshiu globin, ai shpalosi rekomandime për kujdesin shëndetësor dhe solli në vëmendje këshillat e ekspertëve të ekonomisë. Ka qenë shumë kritik ndaj reagimit të presidentit Trump ndaj virusit duke e akuzuar atë se ka vepruar shumë ngadalë. Biden ka premtuar kujdes shëndetësor si një prioritet kryesor. Nëse ai do të fitojë Shtëpinë e Bardhë, do të bëhet presidenti më i moshuar në histori pasi në ceremoninë e inaugurimit do të jetë 78 vjeç.

Donald Trump, presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një lider shumë i polemizuar, kërkon një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë dhe e ka bërë këtë me kartën e emigracionit, tregtisë dhe ekonomisë.

74-vjeçari i lindur në Queens, ka qenë një ish-drejtues reality-shoë dhe biznesmen i pronave të patundshme në Nju Jork që asnjëherë nuk kishte garuar për një post politik deri në 2016-ën. Mënyra se si Trump dhe administrata e tij reaguan ndaj krizës së koronavirusit, pritet të ndikojë padyshim në rezultatin e zgjedhjeve. Ndalimi i emigrantëve ka qenë një nga politikat kryesore të tij që edhe ka mbledhur mbështetës.

Shumë ndihmës dhe aleatë, mendojnë se Trump nuk po garon më kundër një kundërshtari politik, por kundër virusit korona dhe rizgjedhja e tij varet nga fakti nëse do të mund të bindë apo jo zgjedhësit se administrata e tij ka shpëtuar jetë njerëzish.

Në përpjekje për t’u mbrojtur nga virusi, një rekord prej rreth 100 milionë njerëzish i kanë hedhur votat tashmë në atë që njihet si votimi i hershëm në SHBA. Besohet se shumë nga këto vota të hershme janë të demokratëve. Por fushata e Trump-it shpreson për një valë mbështetësish republikanë që do të votojnë personalisht sot.

Për t’u bërë president, një kandidat duhet të fitojë të paktën 270 vota nga gjithsej 538 në total, të atyre që quhen kolegje elektorale. Çdo shtet amerikan merr një numër të caktuar votash, pjesërisht bazuar në popullatën e tij. Ky sistem shpjegon përse është e mundur që një kandidat të fitojë më shumë vota në shkallë kombëtare, siç bëri në 2016 Hillari Klinton, por në fund të humbasë zgjedhjet.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button