Gashi: Nuk nevojiten zgjedhjet e parakohshme

Është normale që çdo opozitë të përpiqet të ketë zgjedhje sa më shpejt dhe kjo është legjitime. Ne mendojmë se zgjedhjet e parakohshme nuk janë të nevojshme. Po të kishim menduar ndryshe, tre muaj më parë nuk do të bëheshim pjesë e kësaj Qeverie, por do të shkonim në zgjedhje, tha kryetari i Alternativës, Afrim Gashi pas pjesës së parë të Kongresit të Parë të partisë në Shkup.

“Mendojmë se në një krizë të tillë ekonomike dhe shëndetësore, për shkak të stabilitetit të vendit nuk duhet të shkojmë në zgjedhje, por gjithsesi është e drejtë e Kuvendit dhe 61 deputetë mund të vendosin për të shkuar në zgjedhje. Por ne jemi kundër kësaj”, tha Gashi.

Gashi theksoi se Alternativa i është bashkuar koalicionit qeverisës për të ndihmuar në marrjen e një date për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të vendit në BE.

“Nëse në një moment mendojmë se dalja jonë do të ndihmonte, do ta bënim, por mendojmë se duhet të ketë një qeveri që do të punojë aktivisht për të arritur një marrëveshje me Bullgarinë dhe për të nisur negociatat sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.

I pyetur se pse në Kongres nuk ishte i pranishëm deputeti i Alternativës Skender Rexhepi-Zaid, i cili vazhdimisht ka deklaruar se nuk është i kënaqur me punën dhe përmbushjen e pikave të marrëveshjes politike që partia të hyjë në koalicion qeverisës, Gashi tha se kur u bënë pjesë Qeveria nuk ka treguar gjëkundi se do të bëjnë diçka për 100 ditë.

“Kur hyn në mes të mandatit, nuk mund të angazhohesh për nja 100 ditë, por ne kemi bërë një mbledhje pas njëqind ditësh, sepse duam t’i japim llogari votuesve tanë, aktivistëve dhe të gjithë qytetarëve dhe ky ishte qëllimi. Ne duam që të gjitha ato pika të realizohen, por objektivisht kur ka pengesa kemi mirëkuptimin të presim momentin më të përshtatshëm për t’i futur në rend dite. Ne punojmë intensivisht dhe duam ta realizojmë këtë, por nga ana tjetër kemi mirëkuptim. Se sa do të realizohet nga kjo do të tregojë e ardhmja”, tha Gashi.

 

LEXO EDHE:

Back to top button