Gatuzo merr te Valencia, mesfushorin sulmues të Milanit

Aventura e Samu Kastillejos te Milani ka arritur në fund. Mesfushori i lindur në vitin 1995 është gati të largohet nga klubi kuqezi dhe të kthehet në atdheun e tij, Spanjë. Në pritje të tij është Valencia e ish-trajnerit të tij, Xhenaro Gatuso.

Sipas raportimeve të ‘Sky Sport’, palët kanë arritur marrëveshje për transferimin e përhershëm të Kastillehos. Lojtari tashmë iu ka thënë lamtumirë bashkëlojtarëve “kuqezinj” dhe sot do të largohet nga Milani për të fluturuar drejt Valencias.

I mbërritur nga Viljarreali në verën e vitit 2018, aventura e Kastillehos me fanellën e “Djallit” përfundon pas 4 vitesh, 10 golash dhe 15 asistesh në 113 paraqitje. Sezonin e kaluar, atë të titullit, spanjolli bëri vetëm 5 paraqitje, dha dy asiste, duke marrë pak pjesë në suksesin e madh të skuadrës së Piolit.

Me Gatuzon në stol, në sezonin 2018-2019, Kastilleho grumbulloi 39 ndeshje mes Serie A, Kupës së Italisë, Superkupës së Italisë dhe Ligës së Evropës. Gjithashtu shënoi 4 gola dhe dha 4 asiste.

Të dy janë gati të takohen tri vite pas ndarjes, por këtë herë në një tjetër kampionat dhe me një fanellë tjetër, atë të Valencias.

LEXO EDHE:

Back to top button