Gir: Përkatësia etnike apo fetare nuk duhet të përfshihet në kartat e identitetit

Legjislacioni evropian nuk njeh përfaqësi etnike në letërnjoftime. Ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir thotë se nga gushti i këtij viti në BE do të harmonizohet baza e të dhënave personale për të gjitha shtetet. Sipas tij, përkatësia etnike, politike dhe fetare në kartat e identitetit do të ndalohet dhe se Maqedonia e Veriut si vend që pret datë për negociata duhet ta harmonizojë këtë çështje me ligjet e BE-së.

Kjo bën pjesë në të dhënat personale si origjina etnike, politike, fetare apo çfarëdo tjetër dhe rregullativa e BE-së ndalon një gjë të tillë. Kartat e identitetit në BE janë akoma të harmonizuara me ligjet kombëtare të çdo shteti veçmas, por legjislacioni që potencova parashikon që kartat e identitetit të përfshihen në aplikacion gjithëpërfshirës për të gjitha vendet e BE-së në gusht të këtij viti – tha Dejvid Gir, Ambasador i BE-së.

Ndërkohë kryeministri Zaev hedh poshtë pretendimet e liderit të opozitës Hristijan Mickoski të jetë alarmuar nga një ambasador i BE-së, se grafa etnike në letërnjoftime mund të shkaktojë pengesa të reja për datën e negociatave me BE-në.

Nuk kam paralajmërime të tilla dhe as nuk kam biseduar me dikë. Për çfarëdo alarmi apo paralajmërimi për ndonjë reagim. Normalisht Lëvizja Besa pas koordinimit me ambasadorin grek, kanë marr edhe përgjigje pozitive mbrapa. Ne në rrugë diplomatike e kemi konfirmuar që në kohën kur e kemi premtuar pra në vitin 2019 kur u miratuan ndryshimet Kushtetuese – u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Akoma nuk ka asnjë lëvizje në drejtim të shqyrtimit të amendamenteve. Kuvendi po i procedon teknikisht, ndërsa nga Lëvizja Besa thonë se çështja e letërnjoftimeve është punë e kryer dhe se nga propozimi nuk heqin dorë për asnjë çmim. Qëndrim nuk ka ndryshuar as VMRO-DPMNE-ja e cila përmes një amendamenti kërkon përfshirjen e kombësisë në letërnjoftime, si kusht për mbështetjen e ligjit.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button