Gjatë fundjavës temperaturat më të larta që ndonjëherë janë matur në Evropë

Gjatë fundjavës temperaturat më të larta që ndonjëherë janë matur në Evropë

Gazetare: Ajnur Bafqari

Temperaturat ekstremisht të larta e kanë përfshirë një pjesë të madhe të botës, ndërsa nuk e kanë kursyer as pjesën jugore të Evropës.

Greqia fqinje, tashmë po përballet me zjarret e para të pyjeve, të cilat kanë shpërthyer në disa vende në afërsi të kryeqytetit, si pasojë e të cilëve shumë persona duhej të evakuohen.

Zjarri ka përfshirë edhe pyjet në Alpet zvicerane, që po digjen që nga mbrëmja e djeshme në zonën Ot Valla, pranë kufirit me Italinë, e për shuarjen e të cilit sipas autoriteteve do të nevojiten disa ditë, madje edhe javë.

Vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe ditët e ardhshme ku do të regjistrohen temperatura rekorde që do ta rrezikojnë edhe shëndetin e njerëzve. Temperatura mbi 40 gradë celsius janë regjistruar në disa pjesë të Spanjës, Francës, Greqisë, Kroacisë dhe Turqisë.

Sipas agjencisë evropiane të hapësirës gjatë fundjavës pritet të arrijnë temperaturat më të larta që ndonjëherë janë matur në Evropë. ESA parashikon temperatura prej rreth 48 gradë celsius në ishullin italian Sicili. Në këtë rajon është regjistruar edhe temperatura më e lartë në Evropë deri më tani, prej 48, 8 gradë celsius në gusht të vitit 2021.

Në Amerikë, nga Florida përmes Teksasit deri në Kaliforni, një pjesë e madhe e jugut është goditur nga vala e të nxehtit, të cilin sinoptikët e kanë cilësuar si “ngulfatës”.

Në Luginën e Vdekjes në Kaliforni, të shtunën në mbrëmje termometri ka shënuar 51 gradë celsius, ndërsa pritet që temperatura të arrijë deri në 54 gradë.

Përskaj Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe kontinenti aziatik këto ditë është përfshirë nga valët e të nxehtit ndërsa dy ditë më parë në qytetin kinez Sanbao është matur temperatura rekorde prej 52, 2 gradë celsius.

Sipas ekspertëve periudhat me temperatura ekstremisht të larta do të jenë gjithnjë e më të shpeshta, dhe si pasojë e ndryshimeve klimatike, temperaturat rekorde janë normale. Vitin e kaluar më shumë se 60 mijë njerëz në Evropë humbën jetën si pasojë e nxehtësisë. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button