Gjendja epidemiologjike në vend – Si do të vazhdojë gjysmë vjetori i dytë?
Gjendja epidemiologjike – Si do të vazhdojë gjysmë vjetori i dytë?

Gazetare: Melihate Rustemi
Komisioni për sëmundje infektive nuk ka propozuar asnjë masë shtesë për gjendjen e krijuar në vend me Covid 19, shkruan Alsat.
Siç bëjnë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë, ditëve në vijim do të vendoset për propozimin për uljen e kohës së izolimit për rastet asimptomatike me Covid-19, nga 10 në 7 ditë si dhe për rastet që kanë pasur kontakt me person pozitiv të ulen nga 14 në 10 ditë.
Komisioni ka shqyrtuar edhe mundësinë e ndryshimit të mësimit në gjysmë vjetorin e dytë të shkollës. Për këtë propozim, vendimi do të merret në bazë të gjendjes epidemiologjike para fillimit të mësimit që pritet të nis më 20 janar.
Ndërkohë, raporti i fundit i Institutit të Shëndetit Publik, nga 3 deri më 9 janar, tregon se është rritur për 51 % numri i infeksioneve të reja me Covid 19, gjegjësisht janë regjistruar 946 reinfeksione. Sipas të dhënave nga spitalet, aktualisht në të gjithë vendin janë të shtruar 351 persona, 41% më shumë krahasuar me javën e kaluar. Nga numri i përgjithshëm i pacientëve të shtruar, 156 janë në Shkup, pjesa tjetër po trajtohen në spitalet e vendit.
Poashtu, nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se nga 152 strishot pozitive të virusit korona, 104 janë të llojit Omikron.
Ministria e Shëndetësisë informon se është rritur numri i vizitave ditore në të gjitha repartet infektive ne vend ndërsa vetëm në spitalet e Shkupit numri I kontrolleve kalon mbi 100 pacientë./ Alsat.mk