Gjermania e hapur për vaksinat ruse e kineze

Vaksinat ruse e kineze po joshin edhe Gjermaninë. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn e bëri të qartë se është i hapur ndaj tyre, për sa kohë dëshmohen të efektshme.
“Nëse një vaksinë është e sigurt dhe efektive, nuk ka rëndësi se në cilin shtet është prodhuar. Për sa kohë ajo mund të ndihmojë në mposhtjen e pandemisë, mund të përdoret. Megjithatë vaksina kundër koronavivrusit duhet të kalojë nëpër një proces të autorizimit”, ka thënë Jens Spahn.

Komentet e ministrit gjerman vijnë në kohën kur Europa po përballet me vonesa të dërgesave të dozave të vaksinës nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech. Dy ditë më parë, Rusia njoftoi se do të jetë në gjendje që në gjysmën e dytë të vitit 2021, ta furnizojë Bashkimin Europian me 100 milionë doza të vaksinës së saj Sputnik-V, doza këto të mjaftueshme për vaksinimin e 50 milionë personave.

Rusia tashmë ka aplikuar për autorizimin e vaksinës në Agjencinë Europiane të Barnave (EMA). Lidhur me vaksinën Sputnik-V ka pasur skepticizëm të madh, pasi mendohet se ajo nuk ka kaluar ende nëpër të gjitha studimet e nevojshme klinike. Kryebashkiaku i Berlinit, Michael Mueller i ka shkruar një letër kancelares gjermane, Angela Merkel duke i thënë se Gjermania duhet të krijojë plane “të vaksinimit kombëtar”, dhe aty shprehte idenë që vendi duhet të shohë mundësinë e furnizimit edhe me vaksina jashtë BE-së.

 

LEXO EDHE:

Back to top button