Gjermania nis kontrollet në të gjithë kufijtë tokësorë
Gjermania nis kontrollet në të gjithë kufijtë tokësorë
Gjermania nisi kontrolle të rastësishme në kufijtë e saj me pesë vende të Evropës Perëndimore, në përpjekje për të luftuar migrimin e parregullt. Kontrollet policore filluan në orët e mëngjesit në kufijtë me Francën, Holandën, Belgjikën, Luksemburgun dhe Danimarkën dhe do të vazhdojnë për gjashtë muaj. Gjermania, anëtare e Bashkimit Evropian, njoftoi qysh javën e kaluar se do t’i zgjerojë kontrollet kufitare në të nëntë kufijtë e saj tokësorë, si masë për të goditur migracionin e parregullt dhe krimin, pas sulmeve të fundit ekstremiste. Me rregullat e BE-së, shtetet anëtare mund të vendosin përkohësisht kontrolle në të ashtuquajturit kufij të brendshëm, në rast të ndonjë kërcënimi serioz, siç është ai për sigurinë kombëtare. Por, me rregulla, kontrollet kufitare duhet të zbatohen si mjeti i fundit në situata të jashtëzakonshme dhe duhet të jenë të kufizuara në kohë. /Alsat.mk