Lufta / Putin: Kievi e hapi kutinë e pandorës

Kievi hapi kutinë e Pandorës me sulmet dhe goditjet e saj mbi shënjestrat ekonomike ruse dhe tani Rusia do duhet të hakmerret, duke goditur mbrapsht sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë ukrainase. Ky ishte paralajmërimi i fundit i presidentit rus, Vladimir Putin. Këtë verë, Ukraina ka përshkallëzuar një fushatë të egër me sulme me dronë ndaj infrastrukturës ekonomike ruse, përfshirë këtu edhe rafineritë e naftës dhe fabrikat e magazinat e mëdha të prodhimit masive, duke shkatërruar kësisoj edhe përpjekjet e Rusisë, që jo vetëm t’i mbijetojnë luftës, por edhe të fitojnë prej saj. Rusia nga ana tjetër është kundërpërgjigjur po njësoj, duke sulmuar eksportet e grurit ukrainas përmes detit të zi.

“Regjimi i Kievit ka dëmtuar rëndë ekonominë tonë. Çfarë bëmë ne? Është hapur tashmë kutia e Pandorës. Atëherë, të presin të njëjtën përgjigje, do t’i godasim në sektorët më jetikë të ekonomisë”, deklaroi Vladimir Putin, President i Rusisë.

Lideri rus theksoi edhe njëherë pozicionin e tij, se Moska është e hapur për bisedime të paqes por vetëm mbi baza reale dhe jo sipas propozimeve ekzotike që propozon presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.

Lufta në Ukrainë po sjell gjithnjë e më shumë pasoja brenda territorit rus. Sulmet ukrainase kanë goditur rafineri nafte, qendra logjistike dhe depo, ndërsa në disa zona janë shfaqur probleme me furnizimin me karburant. Në Moskë dhe qytete të tjera janë krijuar radhë në pikat e karburantit, ndërsa rritja e çmimeve dhe dobësimi i rublës kanë shtuar shqetësimet e qytetarëve. Një tjetër problem për ekonominë ruse janë sulmet ndaj infrastrukturës së kompanisë së tregtisë elektronike Wildberries. Putin e pranoi dëmin, por u përpoq të minimizonte pasojat.

“Është e qartë se këto sulme nuk do të kenë dhe nuk mund të sjellin pasoja kritike. Objektet e dëmtuara do të rindërtohen me mbështetjen e qeverisë”, tha Vladimir Putin, President i Rusisë.

Putin vazhdon të minimizojë ndikimin e sulmeve ukrainase dhe dëmet ndaj ekonomisë, ndërsa autoritetet ruse synojnë të ruajnë imazhin e kontrollit.

Ndërkohë, në Ukrainë, pavarësisht luftës, vazhdojnë debatet politike, protestat dhe përplasjet brenda institucioneve. Kjo krijon një kontrast të fortë me situatën në Rusi, ku opozita është shtypur dhe hapësira për kundërshtimin politik është kufizuar ndjeshëm.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kundërshtuar thirrjet për mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë gjatë luftës, duke i cilësuar ato si “një cunam” që do të “përçante Ukrainën”, në një kohë kur Rusia po i intensifikon sulmet e saj vdekjeprurëse./Alsat.

LEXO EDHE:

Back to top button