LSDM dhe Aleanca për Shqiptarët akuzuan Qeverinë për menaxhim të dobët të krizës shëndetësore me ethet e Nilit Perëndimor

Gazetare: Ilirida Sulejmani

Maqedonia ka shkallën më të lartë të rasteve me ethet e Nilit Perëndimor në Evropë. Institucionet janë vonuar me masat. Kështu akuzojnë nga LSDM ministrin e shëndetësisë Sasho Klekovskin. Nga LSDM thonë se ngjashëm sikurse në rastin e Gostivarit, edhe me ethet e Nilit mungoi përgjegjësi institucionale.

“Dy kriza shëndetësore. Njëra me ujin në Gostivar, ku u helmuan 5 mijë persona dhe kriza e re me epideminë e etheve të Nilit Perëndimor. Ajo që të dyja krizat kanë të përbashkët është se pushteti i Mickoskit reagoi me vonesë.Nuk ka kapacitet për të parandaluar dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, por reagon vetëm pasi kriza të përshkallëzohet. Në vend të punës, si Mickoski ashtu edhe Klekovski shkuan në ekskursione, në pushime, në mes të krizave.01:21-01:30 Rezultati është se Maqedonia është vendi në Evropë me numrin më të madh të rasteve të të infektuarëve për kokë banori”, deklaroi Simona Cvetanoski, LSDM.

Aleanca për Shqiptarët ka shprehur shqetësim për situatën epidemiologjike në vend. Sipas tyre, deklaratat se situata po monitorohet edhe është nën kontroll nuk janë të mjaftueshme. Nga atje thonë se qytetarët presin veprime konkrete nga institucionet përgjegjëse.

“Kërkojmë nga institucionet që të ndërmerren masa konkrete si dezinsektim të menjëhershëm dhe të intensifikuar në zonat e rrezikuara, monitorim epidemiologjik të vazhdueshëm dhe transparencë të të dhënave, forcim të kapaciteteve shëndetësore për diagnostikim dhe trajtim, informim të qartë dhe udhëzime praktike për qytetarët. Pesë jetët të humbura janë një alarm që kërkon mobilizim serioz të institucioneve të cilat nuk vepruan në kohë. Në mbrojtje të shëndetit publik, nuk ka vend për politikë, as për manipulime, për improvizim apo komunikim propagandistik”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.

• Dezinsektim të menjëhershëm dhe të intensifikuar në zonat e rrezikuara
• Monitorim epidemiologjik të vazhdueshëm të të dhënave
• Forcim të kapaciteteve shëndetësore për diagnostikim dhe trajtim
• Pesë jetë të humbura janë alarm

Me rritjen e numrit të rasteve, autoritetet përballen me kërkesën për një qasje më të koordinuar dhe transparente në menaxhimin e situatës. Masat parandaluese, kontrolli i mushkonjave dhe informimi i qytetarëve, mbeten elementet kryesore për frenimin e përhapjes së etheve të Nilit Perëndimor./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button