Gjermania po përballet me presion serioz ekonomik për shkak të zgjerimit të eksporteve kineze
Kjo paralajmërohet nga një studim i ri i organizatës kërkimore me seli në Londër, Qendra për Reformën Evropiane (CER), i raportuar nga gazeta gjermane Handelsblatt.
Autorët e studimit, Sander Tordoar dhe Brad Setser , argumentojnë se Gjermania është bërë “epiqendra e shokut të dytë kinez “, me kompanitë kineze që po marrin me shpejtësi pjesë të tregut nga prodhuesit gjermanë – jo vetëm në Kinë, por edhe në tregun evropian dhe në pjesën tjetër të botës.

Parlamenti Evropian të martën shtrëngoi më tej rregullat e importit të çelikut për të mbrojtur industrinë evropiane nga çeliku i lirë kinez. Sasia e çelikut që mund të hyjë në BE pa taksa është pothuajse përgjysmuar – në 18.3 milionë ton në vit.
Të gjitha importet që tejkalojnë këtë kuotë i nënshtrohen një tarife prej 50 përqind. Masa synon kryesisht prodhuesit kinezë, por ekonomistët paralajmërojnë se ky do të jetë vetëm një hap i parë pasi problemi i konkurrencës kineze prek një gamë shumë më të gjerë industrish.
Autorët e studimit theksojnë se Gjermania po i diagnostikon gabim problemet e veta. Sipas analizës së tyre, shkaku kryesor i krizës industriale nuk është burokracia apo kostot e larta të energjisë, por strategjia ekonomike e Kinës dhe rritja e madhe e eksporteve.
“Berlini nuk po e mbron veten, edhe pse kjo tronditje minon sigurinë ekonomike të vendit në sektorët kryesorë ”, thuhet në studim.








