Gjimshiti: Disa orë para finales mësova se do të isha kapiten

Kapiteni i Atalanta në finalen e Ligws Europa, të cilën skuadra italiane e fitoi me rezultatin 3-0 ndaj Bajer Leverkusen, Berat Gjimshiti deklaroi për mediat pas këtij triumfi historik se e gjitha i duket e pabesueshme.

“Është e vështirë të gjesh fjalët tani, as që po e kuptoj se çfarë bëmë. Një sukses kaq i madh, pas finales së humbur në Kupën e Italisë, është i pabesueshëm. Megjithatë tani nuk më interesojnë 3 finalet e humbura”, tha fillimisht shqiptari.

Më tej, mbrojtësi i kombëtares shqiptare të futbollit u shpreh se sot e mësoi se do të ishte ai kapiteni i Atalanta në këtë përballje dhe se ndjehet shumë krenar.

“Jam krenar, sot mësova se do të mbaj shiritin në krah. Grupi është fantastik, luajtëm shumë mirë dhe me meritë”, vijoi kapiteni “kuqezi”.

I pyetur nëse e priste këtë sukses në momentin e parë kur është bashkuar me Atalanta-n, mbrojtësi deklaroi se nuk e kishte imagjinuar kurrë.

“Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë. Kur arrita situata dhe pritshmëritë ishin të ndryshme, ne po luanim për të shmangur rënien. Ardhja e Gasperinit solli një filozofi të re, ai gjithmonë dëshiron të përmirësojë lojtarët dhe t’i bëjë ata të performojnë dhe të japin më të mirën e tyre. Pastaj pas disa viteve fillova të imagjinoj një moment të tillë, ndoshta jo Liga Europa, ndoshta më shumë Kupën e Italisë, por sot e meritojmë të gjithë këtë”, përfundoi Berat Gjimshiti.

LEXO EDHE:

Back to top button