Gjithnjë e më shumë të rinj ikin nga Kosova, kjo është arsyeja

Gjithnjë e më shumë të rinj ikin nga Kosova, kjo është arsyeja

Gazetar: Miki Trajkovski

Situata ekonomike, lufta në Ukrainë, mosmarrëveshjet e pazgjidhura në rajon, e bëjnë Ballkanin Perëndimor një vend të pasigurt për të rinjtë, të cilët e shohin të ardhmen jashtë vendeve të tyre. Të rinjtë shqiptarë dhe serbë thonë se është e nevojshme që elitat politike t’i tejkalojnë problemet, në mënyrë që të vazhdojnë të jetojnë në paqe.

“Më shqetëson situata. Çështja e Kosovës dhe Serbisë, më shumë është çështje politike, dhe çështje propaganduese e mediave, ajo që ata e publikojnë. Po ashtu është çështje edhe e kishës. Ne të rinjtë mundemi më shumë të bashkëpunojmë, ti vizitojmë vendet tona të ndërsjella, dhe të kontribuojmë për paqe. Është çështje tjetër që politikanët nga Serbia dhe Kosova që propagojnë problemet, e jo ne të rinjtë”, u shpreh Gent Krasniqi-Kosovë.

“Një kompromis është i mundur mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, nëse kthehemi në të kaluarën, serbët dhe shqiptarët kanë jetuar gjithmonë bashkë. Ata mësonin gjuhën e njëri-tjetrit në shkollë, ashtu që mund të harrohet interesi personal dhe të arrijmë në një interes të përbashkët, dhe të vazhdojmë të jetojmë së bashku. Gjithnjë e më shumë të rinj po largohen nga Kosova dhe kam frikë se nëse e marrim liberalizimin e vizave do të jetë problem edhe më i madh”, tha Manojla Petroviq-banuese nga Graçanica.

Dhe çdo i treti i ri shtetas i Maqedonisë së Veriut maqedonas jeton në kufi të varfërisë, sipas hulumtimit të Lidhjes Rinore nga Krusheva. Kjo tregon se sa shumë të rinj po mendojnë të largohen nga vendi.

“Emigracioni po rritet. Për shembull, minoriteti me rritje më të shpejtë në Gjermani është minoriteti bullgar, dhe duhet të pranojmë se shumë nga njerëzit tanë me pasaportë bullgare po emigrojnë. Si bullgarë që janë deklaruar në Gjermani, një përqindje e mirë janë shtetasit tanë. Të gjithë ata duhet të integrohen”, theksoi Metodia Stojçeski-drejtor ekzekutiv i Lidhjes Rinore të Krushevës.

Ambasadorja e re e SHBA-së në Maqedoni, tha se të rinjtë janë çelësi për krijimin e një të ardhmeje më të mirë për njerëzit në rajon.

“Sot, ju keni një sfidë të re për të ardhmen tuaj, dhe të ardhmen e brezit tuaj, dhe ajo është integrimi në BE. Ky vend dhe këta qytetarë kanë bërë shumë më tepër se sa duhet, për të hapur proceset e negociatave. Hyrja në BE do ta bëjë këtë vend më të begatë dhe më të qëndrueshëm”, u shpreh Angela Prajs Ageler-Ambasadore e Shteteve të Bashkuara.

Rreth pesëdhjetë të rinj nga Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina folën në Ohër në konferencën ndërkombëtare “Objektivi i të rinjve për paqe dhe pajtim”./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button