Gjithnjë e më të rrallë janë zanatçinjtë e mirëfilltë

Gjithnjë e më të rrallë janë zanatçinjtë e mirëfilltë

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Edhe pse dikur ishin veshje përditshmërie e festash, të punuara me motive kombëtare sot i gjen gjithnjë e më rrallë.

Samet Ziberi, është mjeshtri i fundit që merret me qepjen e veshjeve kombëtare, madje në gjithë Maqedoninë Perëndimore. Qep shpesh edhe për teatrot e vendit si dhe ansamblin, por së fundmi thotë se ka gjithnjë e më pak kërkesa, gjë që e bën këtë zanat të mos ketë leverdi.

“Kemi punuar për ansamblin, me teatrot e vendit kam punuar, Tetovë Gostivar, kam pasur edhe punë për Shkupin. Momentalisht nuk mund të jetohet prej këtij zanati sepse interesimi nuk është i madh”, tha Samet Ziberi, rrobaqepës.

Ziberi thotë se tirqit bëhen nga leshi i përpunuar, por është shumë problem të gjendet, sepse nuk ka më njerëz që e përpunojnë atë.

“Ky material që e shihni, është lesh por prodhim fabrike, ndërsa ky tjetri është material i vjetër. Tash e kërkojnë më shumë këtë të fabrikës se është më i lehtë. Materialin e vjetër është shumë problem për ta gjet. Vetëm kujt i ka mbetur dikujt, e kërkojmë gjithandej nëpër fshatra të malësisë, sepse nuk ka kush që e prodhon më këtë material”, u shpreh Samet Ziberi, rrobaqepës.

Edhe pse Samet Ziberi po shkon drejt pensionit, hallin kryesor e ka mungesën e një pasardhësi të zanatit, pasi interesimi i të rinjve është zero.

“Në Pollog, në Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe gjithë Maqedoninë perëndimore, jam i vetmi por edhe i fundit që e punoj këtë zanat. Faktikisht ky zanat shkon kah vdekja. Unë e kam vazhduar mos mbesim pas me veshjet kombëtare sepse nuk kishte asnjë më në Maqedoni. Unë e nisa që ta ringjalli këtë zanat, por kush do e vazhdojë?”, shtoi Samet Ziberi, rrobaqepës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button