Gjoba të shumta për shkak të mosrespektimin e rregullave në trafik

Gazetar: Avni Tahiri
Me mos respektimin e sinjalistikës dhe rregullave të komunikacionit si nga këmbësorët po ashtu edhe nga vozitësit e automjeteve, rrezikohet jeta e qytetarëve, thonë të anketuarit për Alsat. Sipas tyre te ne mungon kultura në trafik, e cila siç thonë është parakushti themelor për zvogëlimin e rrëmujës por edhe uljen e numrit të aksidenteve në rrugë.

“Mendoj se kohëve të fundit por edhe statistikave në Maqedoni ndodhin shumë aksidente dhe mendoj se kjo duhet të zvogëlohet, mendoj se duhet t’i respektojmë rregullat jo duke i mbrojtur vozitësit por edhe vetë këmbësoret. A të kanë dënuar ndonjëherë? Nuk kam qenë i dënuar, i respektoj rregullat, momentalisht jam edhe vozitës dhe me respektimin e rregullave dua të mbroj edhe jetën time por edhe të këmbësoreve”, tha një qytetar.

“Nuk e di a kemi, jo nuk kemi kulturë të komunikacionit.. kalojnë këmbësoret, unë njëherë kalova dhe me dënuan. A duhet edhe tjerët të dënohen? Po, duhet”, shtoi një tjetër qytetar.

“Keni kaluar në të kuqe ndonjëherë? Jo, asnjëherë. Çfarë i këshilloni tjerët? -Të respektojnë rregullat. A duhet të dënohen? Fillimisht duhet vërejtje e më pas edhe dënim”, theksoi një qytetare.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se vetëm për tre muaj të këtij viti janë shqiptuar 189 gjoba ndaj këmbësoreve të cilët nuk kanë respektuar rregullat në komunikacion.

“Gjatë tremujorit të parë të vitit 2024 janë paraqitur kërkesa për inicimin e procedurës për kundërvajtje ndaj 189 personave për kryerjen e kundërvajtjeve që kanë të bëjnë me lëvizjen e parregullt të këmbësorëve”, thonë nga MPB-ja.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme gjithashtu njoftojnë se vetëm për një ditë këtë javë në territorin e qytetit të Shkupit janë shqiptuar gjithsej 154 gjoba, 19 prej të cilave kanë qenë dënime ndaj vozitësve të cilët kanë drejtuar mjetin pa patentë shoferi, 6 ndaj drejtuesve të motoçikletave dhe 11 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit. MPB-ja paralajmëron se kontrollet e trafikut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe apelojnë tek qytetarët që të respektojnë rregullat në mënyrë që të rritet siguria në komunikacion./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button