Gjorgjievski: Me dialog arrihet çdo zgjidhje, po lirohet hapësira te Bit Pazari
Gazetare: Melihate Rustemi
“Po rrënohet objekti ‘Tobako Ali’. Me dialog, mirëkuptim dhe një qasje të përgjegjshme, nuk ka zgjidhje të pamundur.” Me këtë mesazh të publikuar në rrjetet sociale, kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi largimin e objekteve të vendosura në këtë lokacion pranë Bit Pazarit, duke shtrënguar dorën me pronarin e objektit si shenjë e një marrëveshjeje të arritur me mirëkuptim. Sipas Gjorgjievskit, pas largimit të objekteve do të nisë rregullimi i të gjithë hapësirës, me rikthimin në funksion të shtegut të biçikletave dhe trotuarit, si dhe pastrimin e segmentit.
“Vlerësoj se deri në përfundimin e ditës së nesërme do të largohet objekti, në fakt disa objekte, nuk ishte vetëm një. Gjithashtu, me ndërmarrjen publike ‘Rrugët dhe Rrugicat’, do të zbukurohet kjo hapësirë. Përkatësisht, do të kthehet në gjendjen e mëparshme shteg biçikletash dhe për këmbësorë, në mënyrë që qytetarët të kenë një funksionim normal këtu dhe do të vazhdojmë me pastrimin e gjithë këtij segmenti me qëllim normalizimin e gjendjes”, tha Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit
Ndërkohë sa i përket kalimit jolegal pikërisht në këtë zonë, Gjorgjievski thotë se ka takuar qytetarët dhe shumica duan që vendkalimi të mos mbyllet.
“Kam biseduar dhe kam pasur disa takime me qytetarët këtu. Duhet të theksoj se shumica janë për realizimin e një vendkalimi për këmbësorë. Madje, ideja ime është që të vendosen semaforë, në mënyrë që të mos ketë ndërprerje të shpeshta të qarkullimit dhe mendoj se në këtë mënyrë do të ndikojmë në funksionim më të lehtë të trafikut në këtë pjesë. Unë nuk jam nga ata që, kur marrin një vendim, mendojnë se ai duhet të zbatohet deri në fund pa ndryshime, duke pasur parasysh se për mua është shumë i rëndësishëm mendimi i qytetarëve”, theksoi Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit.
Sipas Gjorgjievskit, nuk përjashtohet rrënimi i urës jofunksionale në Bit Pazar, varësisht marrëveshjes me Komunën e Çairit./Alsat.mk.








