Gjykata Administrative hodhi poshtë paditë e “Frontit Evropian”

Gjykata Administrative hodhi poshtë paditë e "Frontit Evropian"

Gazetar: Adrian Kerimi

Gjykata Administrative ka hedhur poshtë të gjitha paditë e Frontit Evropian mbi vendimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për rivotim në 7 qendra votimi në kuadër të njësitë së pestë dhe njësisë së gjashtë zgjedhore. Të gjitha paditë janë vlerësuar si të pabaza dhe për këtë arsye, Administrativja ka vendosur që në fuqi duhet të mbetet vendimi i KSHZ-së.

“Padia e Koalicioni “Fronti Evropian” kundër vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve më datë 14.05.2024 për vendvotimin 1844 në Komunën e Strugës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 për deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, REFUZOHET SI E PABAZË”, thonë nga Gjykata Administrative.

Para refuzimit të padive dhe pas akuzave nga VLEN për presion ndaj gjykatësve, reagoi edhe kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini i cili akuzat e Arben Taravarit i cilësoi si shpifje dhe tendencë për të penguar punën e Administrative.

“Personalisht si kryetar i Gjykatës Administrative nuk kam nevojë të frikem, përkatësisht nuk di të frikem për punën time që e bëj me përgjegjësi. Datat që potencohen si 15 qershori apo data tjera i shoh si ditë në të cilat me integritetin tim personal dhe kapacitetet që kam do të mund të kontribuoj në të mirë të vendit tonë”, theksoi Burim Sejdini, Kryetar i Gjykatës Administrative.

Referuar Kodit Zgjedhor rivotimi në këto qendra duhet bërë 14 ditë pas ditës së votimit që rezulton 22 maji. KSHZ-ja deri të mërkurën duhet të përgatisë materialin e besuar zgjedhor, të siguron vendvotimet dhe të organizon monitorimin e tyre. Pavarësisht se rivotohet vetëm në 7 vendvotime, dispozitat për heshtje zgjedhore më 21 maj vlejnë për të gjithë territorin e vendit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button