Gjykata e Strasburgut merr vendim në favor të një të burgosuri që u rrah në “Idrizovë”
Gjykata e Strasburgut merr vendim në favor të një të burgosuri që u rrah në “Idrizovë”
Shoqata e Avokatëve të Rinj në Maqedoni dhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut informojnë se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dje nxori një vendim me anë të një deklarate të njëanshme në rastin “Fitim Musliu kundër Maqedonisë së Veriut”, të paraqitur më 30 gusht 2022të.
Rasti ka të bëjë me një ngjarje të 3 gushtit 2020, kur një i dënuar u rrah nga një oficer policie nga burgu i Idrizovës përpara mensës. Si pasojë e sulmit, i burgosuri pësoi lëndime trupore.
“Lidhur me incidentin, në Prokurorinë Kundër Krimit të Organizuar u ngrit një kallëzim penal kundër komandantit të policisë së burgut në Qendrën Korrektuese të Idrizovës për veprat penale të ‘Torturës dhe trajtimeve ose ndëshkimeve të tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese’ (neni 142, paragrafi 1 i Kodit Penal), ‘Keqtrajtimit gjatë kryerjes së detyrës’ (neni 143 i Kodit Penal) dhe diskriminimit racor dhe të llojeve të tjera (neni 417, paragrafi 1 i Kodit Penal). Kallëzimi penal u rrëzua, pas së cilës u ngrit një ankesë në Prokurorinë e Lartë Publike, e cila konfirmoi vendimin e Prokurorisë Kundër Krimit të Ogranizuar”, informojnë organizatat.
Para Gjykatës në Strasburg, personi u ankua për shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), duke pretenduar se i ishte nënshtruar trajtimit çnjerëzor nga një oficer burgu dhe se autoritetet vendase nuk kishin kryer një hetim efektiv mbi akuzat.
“Në deklaratën e paraqitur të njëanshme, Qeveria pranoi se kishte pasur shkelje të të drejtave të aplikantit të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Aplikanti tregoi se nuk ishin specifikuar masa sigurie në përputhje me Konventën, as nuk ishin parashikuar aktivitete për të kapërcyer problemet strukturore që lidhen me trajtimin çnjerëzor dhe hetimet joefektive në burgje”, theksojnë organizatat.
Siç shpjegojnë ato, gjykata tregoi se ky vendim nuk e lironte shtetin nga detyrimi për të kryer një hetim në përputhje me Konventën, duke marrë parasysh njohjen e shkeljes së të drejtave të mbrojtura nga Neni 3 i KEDNJ-së.








